Këshilli i Mandateve është mbajtur këtë të mërkurë për mandatin e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Të pranishëm kanë qenë deputetët e PD të cilët kanë kërkuar që çështja t’i kalojë Gjykatë Kushtetuese.
Deputeti Gazmet Badhi tha se PS po merr në mbrojtje ministren Xhaçka dhe se opozita nuk bie dakord me raportin e propozuar.
“Nuk kemi rënë dakord për një raport të përbashkët, se kolegët e mazhorancës po marrin në mbrojtje Xhaçkën. Kjo është një çështje që do duhet ta shqyrtoj GJKKO. Ne nuk vendosim nëse një deputet ka ushtruar ose jo mandatin në kundërshtim me Kushtetutën, duhet t’ia përcillni gjykatës. Çështja do të shkojë për zgjidhje të konfliktit në Gjykatën Kushtetuese dhe ne do mblidhemi këtu, që do ju detyrojë që ta dërgoni këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, mund ta vononi këtë çështje, por nuk do e ndaloni vendimin e Kushtetuese, ajo ka përfituar dhe ka bërë milioner bashkëshortin e saj”, tha ai.
Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla tha se dy raport finalet do t’i dërgohen për votim Kuvendit.
“Janë propozuar dy draft raporte finale, që do t’i dërgohen për votim Kuvendit”, tha ajo.
Kujtojmë se PD kërkon heqjen e mandatit të Xhaçkës pasi bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik në Dhërmi.