Bullgaria nuk do të tërhiqet nga vetoja e saj Maqedonisë së Veriut, duke rrezikuar kështu edhe Shqipërinë sa i përket konferencës ndërqeveritare për ccështjen e negociatave me BE-në.
Edhe pse Bullgaria ka një qeveri të re qëndrimet mbetet po të njëjta. Mediat maqedonase shprehen se sot në mbledhjen e Këshillit për Punë të Përgjithshme, pritet që Bullgaria t’i thotë “jo” edhe njëherë fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Një gjë të tillë e ka bërë të qartë edhe kryeministri i sapozgjedhur bullgar Kiril Petkov. Ai megjithëse paralajmëron qasje të re, tone më konstruktive, por kur vjen fjala te pozicioni që mban Bullgaria, të paktën për tani ai thotë se do të mbetet i njëjtë.
Ndërkohë në një intervistë për Financial Times ai tha se do të propozoj procedurë të re në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, shumë shpejt, me afat shumë të shkurtër prej vetëm 6 muajsh.
Në të, Petkov thotë se Bullgaria është 100 përqind në anën e vërtetë të politikave të NATO-s dhe BE-së.
Sakaq në një bisedë telefonike të kryeministri Zoran Zaev me kryeministrin e ri bullgar Kiril Petkov, të cilin e ka uruar për zgjedhjen e tij, kreu i Qeverisë së vendit, theksoi se në bisedë është shprehur gatishmëria për përshpejtimin e komunikimit dhe bashkëpunimit përmes disa grupeve punuese në sferën e ekonomisë, kulturës, shëndetësisë, energjetikës, infrastrukturës dhe fusha të tjera me interes për qytetarët e Maqedonisë dhe Bullgarisë.
“Ramë dakord të vazhdojmë të punojmë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për zhbllokimin e procedurës për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe për shtysë të re pozitive për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve tona, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, shkroi Zaev në Facebook.
Në draft-konkluzionet e Këshillit të BE-së, të publikuara nga agjencia e lajmeve MIA thuhet “Këshilli mezi pret që të mbajë konferencat e para ndërqeveritare me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt që të jetë e mundur këtë vit, pas miratimit të kornizës negociuese nga Këshilli”.
Projekt-konkluzionet, të vendosura për t’u rënë dakord në samitin e kësaj jave të BE-së, më pas bënë thirrje për respektimin e marrëveshjeve dypalëshe me Greqinë dhe Bullgarinë në një frymë besimi.
Këshilli gjithashtu përshëndeti progresin e reformave të Maqedonisë që dha dritën jeshile për negociatat në mars 2020 dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Megjithatë, udhëheqësit e BE-së vunë re gjithashtu boshllëqet në kuadrin ligjor dhe kërkuan një rishikim gjithëpërfshirës të legjislacionit zgjedhor në kohën e duhur dhe gjithëpërfshirëse.
BE-ja i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut të forcojë lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve.
Progres është vërejtur gjithashtu në reformën e administratës publike, megjithëse nevojiten përpjekje shtesë. Dhe megjithëse reforma e shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës në përputhje me kërkesat e NATO-s u mirëprit, u theksua gjithashtu se mbikëqyrja parlamentare duhet të forcohet.