Kështjella përrallore/ Shitet me çmim “okazion”, por është e mbushur me histori të frikshme

 

A keni ëndërruar ndonjëherë të keni kështjellën tuaj sekrete dhe të endeni korridoreve të fortifikuara si një monark i vërtetë? Një kala mesjetare në rajonin verior të Italisë, Emilia Romagna, në fshatin Serravalle, është në shitje për 1.9 milionë euro, më lirë se çmimi i një shtëpie në qendër të Londrës ose Romës.

E vendosur në kodra të gjelbra, në një lartësi prej 400 metrash, kalaja shitet së bashku me çifligun përreth saj. Prona e shekullit të 18-të e quajtur Palazzo Boccadiferro, është e ngritur mbi rrënojat e disa vendbanimeve pagane. Ajo përfshin kështjellën madhështore, një shtëpizë gjuetie në pyll, një kullë vëzhgimi, një vendkalim mahnitës panoramik, si dhe një park 14 000 metra katrorë.

Kështjella është ruajtur në mënyrë të përsosur, e pajisur me kuzhinë, banja dhe disa dhoma gjumi. Të gjitha ambientet kanë mobilim luksoz të stilit të Rilindjes. Ndërsa pjesë të tjera të pronës, si kulla e vëzhgimit, e ndërtuar në vitin 1227 dhe e modifikuar në 1523, ka nevojë për t’u rikonstruktuar. Por, duke pasur parasysh vlerën e saj historike dhe artistike, kalaja është nën mbikëqyrjen e autoriteteve rajonale, ndaj çdo rregullim duhet bërë në bazë të disa rregullave.

Luftëra dhe fantazma
Si çdo pronë tjetër e këtij lloji, edhe historia e kësaj kështjelle është e mbushur me mistere. Fillimisht, kështjella u pushtua dhe u shkatërrua nga fiset lombarde në shekullin e tetë. Ajo gjithmonë ka qenë një qendër e rëndësishme ushtarake në betejat kundër pushtuesve. Për këtë arsye, kështjella ka disa struktura sekrete, si p.sh një tunel që është ende ekzistent dhe lidh kullën me pallatin.

Sipas legjendave vendase, kështjella është e pushtuar nga fantazmat. Thuhet se dikur një burrë i quajtur Boccadiferro vrau 12 gra dhe shpirtrat e tyre, shfaqen natën duke vajtuar nëpër korridore, në kërkim të hakmarrjes dhe duke lënë pas aromën e parfumeve të tyre.

Gjithsesi, kështjella Serravalle është një vend perfekt për adhuruesit e natyrës, si dhe dashamirësit e gatimeve italiane, pasi prona rrethohet nga restorante të shumta agroturistike.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *