Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk do të konkurrojnë në Eurovizionin e vitit të ardhshëm për shkak kostos që duhet të paguajnë. ‘BBC’ raporton se transmetuesit paguajnë një tarifë për të marrë pjesë në konkurs, por shuma ndryshon në varësi të vendit dhe disa shteteve u është kërkuar të paguajnë më shumë, pasi Rusia u ndalua nga konkursi. Rikujtojmë se Rusia, një kontribues i madh financiar, u përjashtua nga konkursi i këtij viti pasi pushtoi Ukrainën.
“Përveç kostove të konsiderueshme të tarifave të regjistrimit, si dhe kostos së qëndrimit në Britaninë e Madhe, ne u përballëm edhe me mungesë interesi nga sponsorët, ndaj vendosëm t’i drejtojmë burimet ekzistuese për financimin e projekteve kombëtare aktuale dhe të planifikuara”- tha transmetuesi publik i Malit të Zi, “RTCG.”
Kostoja totale për të gjithë transmetuesit e përfshirë për të hyrë zakonisht shkon deri në rreth 5 milion £, por saktësisht se sa paguan secili pjesëmarrës nuk bëhet publike. ‘MRT’ tha në një deklaratë se “rritja e tarifës së regjistrimit për pjesëmarrje”, si dhe kriza energjetike në Maqedoninë e Veriut i detyroi ata të marrin këtë vendim.
Organizatorët e konkursit të këngës ‘EBU’, thanë se “janë përkushtuar të mbajnë kostot e pjesëmarrjes sa më të përballueshme” dhe tarifat e saj “llogariten bazuar në numrin e vendeve që konkurojnë” duke marrë parasysh “madhësinë relative të anëtarit dhe statusin financiar”. Lista e plotë e vendeve që shkojnë në Eurovision 2023, pritet të konfirmohet këtë javë.