Nëse ekspozohesh ndaj të ftohtit sëmuresh? Spinaqi ju bën më të fortë? Kërcitja e gishtërinjve shkakton artritin? Është e vërtetë që mollët ju mbajnë të shëndetshëm, dhe vaksinat shkaktojnë autizëm? Gënjeshtrat më të zakonshme mbi kurat dhe sëmundjet:
1-Nëse hani shumë spinaq, do bëheni më të fortë.
Edhe ajo që sheh tek spinaqi një burim të pashtershëm hekuri, është një legjendë urbane. Spinaqi përmban vërtet hekur, por jo në doza kaq shumë të larta se sa perimet e tjera. Miti lindi në vitin 1890, kur disa nutricionistë amerikanë publikuan përmbajtjen e hekurit tek perimet. Për një gabim banal shtypi – një presje në vendin e gabuar – iu atribua spinaqit një përmbajtje hekuri 10 herë më e madhe se realja.
2-Kujdes nga i ftohti se do të sëmureni
Edhe pse ftohjet dhe gripet rriten disi me ardhjen e sezonit të dimrit, nuk është e ftohta ajo që na sëmur. Përkundrazi, janë pasojat e saj:temperaturat e ulëta reduktojnë rezervat e mukusit, të cilat zakonisht mbrojnë rrugët e frymëmarrjes nga patogjenët, duke na lënë më të prekshëm ndaj infeksioneve. Pasi ftohemi kemi prirjen të kalojmë më shumë kohë në shtëpi, ku ajri është shpesh shumë i thatë dhe ventilimi i dobët, një zakon që favorizon transmetimin e viruseve dhe baktereve.
3-Nëse jeni me menstruacione, s’duhet të laheni në det
Ndalimet dhe pengimet se si të mos notosh, mos lash flokët dhe madje as rrobat, shoqërojnë ciklin menstrual të grave që nga kohët e lashta. Këto bestytni nuk kanë asgjë shkencore: përkundrazi angazhimi në aktivitete relaksuese ose kryerja e lëvizjeve gjatë ciklit, ndihmon në luftimin e luhatjes së humorit dhe dhimbjeve për shkak të rrjedhjeve, përveçse garanton higjienën e duhur. Mjafton vetëm të kini parasysh të mos laheni me ujë shumë të ftohtë.
4- Po të rritet barku prej konsumit të birrës!
Nuk është birra ajo që ju shëndosh, por duke qenë se sasia e alkoolit që përmban në përgjithësi birra është e ulët (110 kalori për litër, përkundrejt 160 tek vera e kuqe), ne priremi të pijmë në sasi të mëdha. Kush pi shpesh birrë, ka ndërkaq prirjen ta shoqërojë atë me ushqime pak të shëndetshme:kështu shpjegohen kilet e tepërta tek konsumatorët e mëdhenj të birrës. Duket që ky mit ka lindur nga fakti se gjermanët, konsumatorët e njohur të birrës “bionde”, janë shpesh me bark. Por japonezët, konsumues të njohur të kësaj pije, nuk janë aspak të tillë.
5-Duhet të pini të paktën 8 gota ujë në ditë
Qëndrimi të hidratuar është i rëndësishëm, por trupi ynë e di saktësisht si të gjejë ekulibrin dhe nuk ka nevojë për imponime të forta. Mund të hidratohemi edhe duke ngrënë fruta dhe perime, apo edhe duke pirë çaj, qumësht, kafe:teoria e 8 gotave ujë, e përhapur për herë të parë në vitin 1945 si një recetë e organizatës “Food and Nutrition Board” (Organizata Amerikane për Sigurinë e të Ushqyerit), nuk mbështetet nga dëshmi shkencore.
6-Vaksinat shkaktojnë autizëm
Nëna e të gjitha gënjeshtrave, dhe s’do të lodhemi kurrë së përsërituri:më e rrezikshmja. Miti i rremë e ka rrënjën tek një artikull i botuar në revistën mjekësore “Lancet’ në vitin 1998, me autor mjekun britanik Endrju Uiekfilld, i cili lidhte vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubeolës me sëmundjen e autizmit.
Fatmirësisht hetimet që pasuan e çmontuan hipotezën më alarmante, ndërsa u zbulua se Ueikfilld kishte marrë 435.000 paund nga avokatët e disa prindërve të fëmijëve të përfshirë në një studim, që kishin një interes në tregimin e ekzistencës së një lidhje midis vaksinës dhe autizmit. “Lancet” e tërhoqi artikullin dhe Ueikfilld u përjashtua nga Urdhri, dhe për këtë arsye nuk është më mjek.
7-Konsumi i tepërt i sheqerit i bën fëmijët hiperaktivë
Janë kryer studime të shumta shkencore për të verifikuar këtë teori popullore, por nuk janë gjetur prova që ta konfirmojnë atë (ndonëse dozat e tepruara të sheqerit dëmtojnë shëndetin e fëmijëve dhe të rriturve, dhe favorizojnë obezitetin, diabetin dhe prishjen e dhëmbëve).
8-Supostet janë më efektive se tabletat
Kjo nuk është e vërtetë, është lloji i përthithjes që ndryshon dhe e bën më të preferueshme njërën apo tjetrën metodë. Të njëjta në thelb sa i përket efektit, barnat supost treten më ngadalë nga trupi se sa tabletat, kapsulat apo llojet e tjera. Për më tepër, thithja është vetëm e pjesshme, dhe kjo është arsyeja pse doza e tyre është përgjithësisht më e lartë se barnat e tjera.
9-Analizat e gjakut bëhen gjithmonë me stomakun bosh
Në fakt janë kryer disa kërkime shumë rigoroze, të cilat kanë treguar kotësinë e këtij diktati. Qelizat e kuqe të gjakut, hekuri, acidi urik, shumë përbërës të tjerë të gjakut, por edhe përqindja e sheqernave dhe proteinave në urinë mbetet në të njëjtin nivel edhe pas një vakti ushqim. Edhe shkalla e kolesterolit, nuk duket të ndryshojë nën ndikimin e ushqimit.
Ky nuk është rasti për sheqernat në gjak – glicemia – dhe trigliceridet, sheqernat e lidhura me yndyrnat. Vlerat e tyre mund të ndryshojnë në varësi të kohës kur është konsumuar vakti i fundit. Nëse për arsye sigurie e shtyni ngrënien e mëngjesit mos harroni të pini:lejohet uji, çaji dhe kafja pa sheqer, të cilat do t’iu mbajnë deri sa të keni mbaruar punë me analizat dhe hani mëngjesin.
10-Në rast se një ushqim ju bie përtokë vlen rregulli i 5 sekondave
Në rast se një ushqim ka mbetur përtokë për më pak se 5 sekonda, ju mund të hani atë pa ndonjë rrezik. Ky besim është një thjeshtëzim i tepruar:disa ushqime mbërrihen nga bakteret në më pak se 1 sekondë, sepse koha nuk është faktori i vetëm që përcakton shpejtësinë e ndotjes. Kanë rëndësinë e tyre edhe lloji i sipërfaqes dhe lagështisë së ushqimit.
/Priza.al/