Ndërkohë që dalëngadalë jemi futur në stinën e katërt të vitit, trupi ynë ka nevojë për ushqimet dhe vlerat ushqyese të nevojshme për të qenë sa më të shëndetshëm. Gjatë stinës së dimrit disa perime duhen konsumuar për të pasur një dietë të përshtatshme dhe për të shmangur çdo grip të mundshëm. Ja disa nga prej tyre, që duhet t’i konsumoni:
Panxhari i kuq
Është i ëmbël, i shijshëm dhe ajo ngjyra e kuqe kthehet në domosdoshmëri për çdo tryezë. Një pjatë me panxhar të rikthen energjinë dhe ul tensionin. Panxharët e kuq janë të dobishëm dhe të shëndetshëm, madje njihen si afrodiziakë dhe i japin trurit mjaft energji.
Karotat
Karota njihet për vetitë e saj të dobishme kundër plakjes, kancerit, infeksioneve, sëmundjeve të zemrës e shumë të tjera. Shtoni karotat në ushqimin dimëror duke i konsumuar ato me supa, sallata dhe gatime të ndryshme e shumë të shijshme. Përveç cilësisë, çmimi është më i mirë.
Lulelakra
Lulelakra është e pasur në fibra dhe ujë. Për këtë arsye ajo lufton sëmundjet e lidhura me aparatin tretës. Ajo ndihmon dhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe obezitetit. Një tjetër përbërës i lulelakrës, kolina, ndihmon në forcimin e memories, të muskujve si dhe ndihmon me problemet e gjumit.
Lakra
Lakra është një perime mjaft e shëndetshme për njeriun. Ajo është plot me vitamina, minerale, fibra, antioksidantë që sipas studimeve reduktojnë rreziqet nga kanceri.
Spinaqi
Spinaqi njihet për vlerat e tij ushqyese dhe është parë gjithnjë si një bimë me aftësi të jashtëzakonshme për të të kthyer energjinë, që rrit vitalitetin dhe përmirëson cilësinë e gjakut.
Por, ka disa arsye pse spinaqi arrin të prodhojë rezultate të tilla. E para është se është i pasur me hekur, i cili luan një rol kryesor në funksionimin e qelizave të kuqe të gjakut, që ndihmojnë në transportin e oksigjenit në trup, në prodhimin e energjisë dhe në sintezën e ADN-së.
Brokoli
Vitamina K që brokoli përmban është thelbësore për funksionimin e proteinave që ndikojnë në koagulimin e gjakut. Vitamina C ndikon në krijimin e kolagjenit, lëndës që formon indet trupore, kockat dhe ndihmon në shërimin e shpejtë të të prerave apo plagëve, shkruan AgroWeb.
Brokoli përmban edhe fibra, të cilat ndihmojnë sistemin tretës dhe ndikojnë në uljen e sasisë së kolesterolit në gjak. Ndërkohë që acidi folik që brokoli përmban është i nevojshëm për prodhimin e qelizave të reja në trup.