Në bashkinë e Finiqit gjithë zona e fshatrave të njësisë së Dhivrit është tërësisht e izoluar dhe pothuajse e braktisur.
Në më shumë se 10 fshatra të kësaj zone të thellë me bukuri të rrallë natyrore jetojnë jo më shumë se 200-300 banorë të minoritetit grek madje ka fshatra si Leshnica e Poshtme ku kanë ngelur vetëm. 11 banorë të moshuar. Jeta ka një ritëm të ngadaltë në këtë zonë ku të moshuarit e mbushin ditën me aktivitete kopshtarie, e duke vizituar njëri-tjetrin. E vetmja dalje nga rutina, njëkohësisht kontakti me botën është telefoni që prej javësh nuk ka sinjal në këtë zonë. Telefoni i lidh të moshuarit me fëmijët emigrantë, me mjekun, infermierin, komshiun që jeton në lagjen e përtejme, me mjetet e rralla që qarkullojnë për të sjellë ushqim e shërbime.
Pa telefon thotë Kasiania 89-vjeç jemi si të shurdhër.
“Ne duam të jetojmë në fshat se këtu u lindëm, u rritëm, punuam në kooperativë dhe më pas mbajtëm shtëpitë gjallë. Fëmijët kanë ikur me vite. Vijnë ndonjëherë por më shumë me telefon merremi vesh. Tani ngjitem çdo ditë deri në kodër, atje lart, mbase gjej sinjal por ska. Nuk kërkojmë shumë. S’kanë ç’na bëjnë këtu lart por të paktën telefonin ta rregullojnë se jemi si të shurdhër.”
Një tjetër e moshuar që ka ardhur për t’i kthyer vizitën Kasianisë thotë se ndodh shpesh që për ditë të tëra të mos shohin askënd dhe se jeta është shumë e vetmuar në këtë zonë.
“Kemi dalë për të pritur bukën sot. Vjen një herë në javë dhe kushton 1400 lekë. Që të shkojmë në qytet tek mjeku na duhen 60-70 mijë lekë taksi por telefoni na zgjidhte ca punë. Flisnim me fëmijët përditë se kanë mall, dhe kemi mall. Ata na dërgojnë edhe ilaçet kur munden. Tani duhet të eci në këmbë për të folur qoftë edhe me komshinjtë dhe kjo është e vështirë. Ne jemi të moshuar dhe nëse ndodh diçka nuk dimë si të njoftojmë”
Situata e komunikimit është e ngjashme që prej fshatit Kërrë e deri në të dalë të Dhivrit. Parullat e propagandës së kohës së socializmit që i gjen ende mbi godinat e ish kooperativave të kujtojnë se e shkuara nuk është aq e largët në këtë zonë të ndalur në kohë./tch