Tashmë edhe zyrtarisht janë larguar nga pika kufitare në Jarinje, trupat e KFOR-it, pas qëndrimit të tyre dyjavor, si rezultat i zhvillimeve që ndodhën me masën e reciprocitetit me targat. Në këtë zonë nuk janë parë rrugës as prezencë të trupave ndërkombëtare të NATO-s.
Ditë më parë situata ishte tensionuar dhe rrugët për pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak ishin bllokuar nga serbët në shenjë proteste pasi Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për automjetet me targa serbe. Kjo situatë solli edhe një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel e cila parashikonte vendosjen e trupave të KFOR-it për dy javë e të cilat u larguan sot më 17 tetor, kur në Kosovë po mbahen zgjedhjet lokale.
/Priza.al/