Inkursioni befasues që ushtria ukrainase e nisi rreth tri javë më parë në rajonin perëndimor Kursk të Rusisë, mbetet një “element i rëndësishëm i luftës”, thotë figura e rëndësishme opozitare ruse, Mikhail Khodorkovsky, në një intervistë për Current Time.
Operacioni në territorin rus, pas luftimeve vetëm në Ukrainë prej vitesh, ia ka ngritur moralin Ukrainës dhe ia ka dhënë një goditje mbështetjes së brendshme të presidentit rus, Vladimir Putin, tha Khodorkovsky në margjinat e konferencës ndërkombëtare të sigurisë, Globsec, në Pragë, më 1 shtator.
“Ndihma që shteti [rus] po ua jep njerëzve të cilët i ka zënë lufta, nuk është e duhura”, tha Khodorkovsky, duke shtuar se shumica e shoqërisë ruse nuk e sheh inkursionin si operacion ushtarak, por më shumë si një lloj “fatkeqësie natyrore”.
“Dhjetë mijë rublat e Putinit [110 dollarë] janë fyerje për njerëzit. Dhe kështu e sheh edhe populli këtë ndihmë”, tha ai.
Ky reagim e bën edhe më të madh rrezikun politik për Qeverinë ruse për të bërë thirrje për një mobilizim të ri të trupave për luftën kundër Ukrainës, argumentoi Khodorkovsky.
“Shndërrimi i luftës në përpjkeje kombëtare është një vendim që [Putini] ka drojë ta marrë”, sipas tij.
Qeveria e Putini i ka përdorur mediat për ta parandaluar fillimin e “lodhjes nga lufta”, duke i e bindur publikun e gjerë se “nuk ka luftë”./ REL