Kina ka tërhequr një premtim për të mos dërguar trupa ose administratorë në Tajvan nëse merr kontrollin e ishullit. Kështu shkruhet në një dokument zyrtar të mërkurën, duke sinjalizuar një vendim të presidentit Xi Jinping për t’i dhënë më pak autonomi se sa ishte ofruar më parë. Letra e bardhë e Kinës mbi pozicionin e saj ndaj Tajvanit evetëqeverisur pason ditë të tëra stërvitjesh ushtarake të paprecedentë pranë ishullit, të cilin Pekini e pretendon si territor i tij.
Kina kishte thënë në dy letrat e bardha të mëparshme për Tajvanin, në 1993 dhe 2000, se “nuk do të dërgojë trupa apo personel administrativ për t’u vendosur në Tajvan” pasi të ketë arritur atë që Pekini e quan “ribashkim”.
Kjo linjë, që synonte të siguronte Tajvanin se do të gëzonte autonomi pasi të bëhej një rajon i veçantë administrativ i Kinës, nuk u shfaq në letrën e bardhë të fundit. Partia Komuniste në pushtet e Kinës kishte propozuar që Tajvani të mund të kthehej në sundimin e tyre sipas një modeli “një vend, dy sisteme”, të ngjashme me formulën sipas së cilës ish-kolonia britanike e Hong Kongut u kthye në sundimin kinez në 1997.
Kjo do t’i ofronte njëfarë autonomie Tajvanit të sunduar në mënyrë demokratike për të ruajtur pjesërisht sistemet e tij sociale dhe politike. Të gjitha partitë kryesore politike tajvaneze kanë hedhur poshtë propozimin “një vend, dy sisteme” dhe ai nuk gëzon pothuajse asnjë mbështetje publike sipas sondazheve. Qeveria e Tajvanit thotë se vetëm njerëzit e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.
Një rresht në letrën e bardhë të vitit 2000 që thoshte “çdo gjë mund të negociohet” për sa kohë që Tajvani pranon se ka vetëm një Kinë dhe nuk kërkon pavarësinë, mungon gjithashtu në letrën e bardhë të fundit.
Letra e bardhë e përditësuar quhet “Çështja e Tajvanit dhe ribashkimi i Kinës në epokën e re”. “Epoka e re” është një term që zakonisht lidhet me sundimin e Xi. President Xi pritet të sigurojë një mandat të tretë në një kongres të Partisë Komuniste më vonë këtë vit. Tajvani ka jetuar nën kërcënimin e pushtimit kinez që nga viti 1949, kur qeveria e mundur e Republikës së Kinës iku në ishull pasi Partia Komuniste e Mao Ce Dunit fitoi një luftë civile./Reuters