Të bësh humor është sa e lehtë dhe po kaq e vështirë. Figurat politike gjithmonë kanë qënë kryefjala e aktorëve, të cilët i kanë sjellë në versionin e tyre më të mirë. Kryetarët e partive si Basha e Rama, duket se janë të pazëvendësueshëm.
Aktori i humorit, Bes Kallaku, i cili së fundmi i është bashkuar ABC-së në spektaklin e ri të humorit “Kosherja”, ka folur për imitimet e figurave të njohura politike.
Gazetari Enkel Demi iu drejtua me pyetjen se çfarë i ka dhënë presidenti Meta lidhur me imitimin e bashkëshortes së tij. Aktori i humorit i cili gëzon një raport mjaft të mirë me presidentin Ilir Meta, tha se ai është tejet sportiv.
“Ai është aq sportiv. Kisha vetëm frikën që po vinte me më thënë përjashta“, tha me humor Besi. Aktori u shpreh pa ‘doreza’ se humori tregon edhe të vërtetat.
“Në fund të fundit, humori është opozitë e përjetshme me çdo lloj pushteti dhe politikani, kështu që humori përveç kësaj, tregon të vërtetat në një farë mënyre. Mbi të gjitha është humor dhe duhet shijuar si i tillë. Dhe ai me të cilin t’i merresh, imiton, duhet shijuar si humor”, tha ai.