Gjatë mesazhit të tij të përvitshëm për Vitin e Ri në meshën e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku bëri thirrje që t’i jepet fund dhunës ndaj grave, duke thënë se një gjë e tillë është “fyerje” ndaj Zotit.
Pjesëmarrja në meshë ishte e kufizuar për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit.
“Sa shumë dhunë është e drejtuar kundër grave. Mjaft. Ta lëndosh një grua është ta fyesh Zotin”, tha Papa.
Gjatë një programi televiziv muajin e kaluar, Papa tha se një burrë që ushtron dhunë ndaj një gruaje, përfshihet në diçka “që është pothuajse satanike”.
Më 1 janar, Kisha Katolike feston Ditën Botërore të Paqes. Në një deklaratë për të shënuar këtë ditë, muajin e kaluar Papa bëri thirrje që shtetet të shpenzojnë më pak në armatim dhe më shumë në arsimim.
/Priza.al/