Kishin bërë ‘namin’ në Lushnjë me pronat/ KLSH çon për ndjekje penale 5 punonjës të Kadastrës. Tre të tjerë paditen në Berat  

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Lushnjë, 5 punonjës të Kadastrës. Sipas KLSH-së, ata akuzohen për shpërdorim detyre.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka zhvilluar auditimin me objekt ‘Mbi procedurën e pranimit dhe administrimit të dokumentacionit, për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe auditimin e ligjshmërisë dhe përputhshmërisë, në kryerjen e procedurave të legalizimit për periudhën e funksionimit’ në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK) Lushnjë.

Nga ky auditim janë konstatuar një sërë veprimesh dhe/ose mosveprimesh të ndërmarra nga ana e ish-Drejtorit të ALUIZNIT, Drejtoria Rajonale Lushnjë, ish-drejtorit të DVASHK Lushnjë, një Përgjegjës Sektori dhe dy specialistë në DVASHK Lushnjë.

Këto (mos)veprime të kryera në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore që normojnë detyrën e tyre funksionale, kanë sjellë si pasojë dëmtimin e rëndë të interesave të ligjshme të shtetit dhe/ose personave të tretë.

Për sa më sipër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Lushnjë, kallëzimin penal për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”,- thuhet në deklaratën e KLSH-së.

Por në rrjetën e KLSH-së, kanë rënë edhe kolegët e atyre të Lushnjës, ata të Kadastrës së Beratit, duket po për të njëjtin abuzim.

Abuzimet në Berat

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, tre funksionarë të Drejtorisë Vendore të Aluiznit, Berat.

KLSH ka zhvilluar në subjektin Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (DVASHK) Berat, auditimin me objekt: “Mbi auditimin e ligjshmërisë në kryerjen e procedurave të legalizmit të objekteve informale si dhe auditimin e procedurave të pranimit, administrimit, shqyrtimit dhe miratimin e dokumentacionit për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme dhe evidentimin e ligjshmërisë së mbivendosjeve”.

Nga auditimi janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga ana e dy ish-Drejtorëve të Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Berat dhe një punonjësi me detyrë ish-Regjistrues në ZVRPP Berat (aktualisht DVASHK Berat), të cilët në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore përkatëse, si dhe mospërmbushjen e rregullt të detyrës së tyre, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, kallëzimin penal për dy ish-drejtuesit dhe ish-regjistruesin.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *