Një lajm aspak i mirë ka ardhur për peshëngritësin shqiptar, Arbër Çerçizi, pasi është përjashtuar përjetë nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes. Ky vendim ka ardhur pasi në testet antidoping, sportisti kishte konsumuar lëndë narkotike, të llojit kokainë.
Lajmin në fjalë e ka përcjellë presidenti i Federatës së Peshëngritësve, Elez Gjoza, ndërsa ka paralajmëruar sportistët e tjerë të kenë kujdes, pasi do të kenë të njëjtin fat në rast se zbulohen duke përdorur substanca të ndaluara.
Sot është vendosur për përjashtimin e sportistit Arbër Çerçizi përgjithmonë nga sporti i peshëngritjes, si dhe pezullimin e trajnerit të Klubit Sportiv Apolonia për një periudhë 5-vjeçare, duke mos e lejuar të ushtrojë profesionin e trajnerit. Në njoftim nënvizohet fakti se për çdo sportist, qoftë ai dhe medalist, që do të dalë pozitiv nga kontrolli i kërkuar nga Federata, do të ketë të njëjtën masë (përjashtim nga sporti).
NJOFTIMI:
“Federata Shqiptare e Peshëngritjes, gjatë zhvillimit të Kampionatit Kombëtar për të rritur të zhvilluar në datat 20-21 shkurt 2021 në qytetin e Durrësit, duke pasur si moto të saj luftën e pandërprerë ndaj fenomenit të dopingut i kërkoi OKAD-it në Shqipëri kontrollin antidoping për të gjithë sportistët pjesëmarrës në këtë kampionat. Pas marrjes së mostrave më datë 22.03.2021, vjen përgjigja nga OKAD, sipas testit No LC 1001/21, ku ka rezultuar pozitiv me substancën kokainë sportisti Arbër Çerçizi. Të gjithë sportistët pjesëmarrës në Kampionatin Kombëtar dolën negativë, përjashtim bën sportisti i “Klub Sport Apolonia”, Z. Arbër Çerçizi, i cili doli pozitiv me substancën kokainë. Në këtë situatë, ku Federata po lufton për sport të pastër, pasi është goditur nga ky fenomen dhe ky sportist është përsëritës, mblodhi Komitetin Ekzekutiv në mënyrë urgjente, sot, më datë 25.03.2021, dhe vendosi masat ekstreme: përjashtimin e sportistit Arbër Çerçizi përgjithmonë nga sporti i peshëngritjes si dhe pezullimin e trajnerit të Klubit Sportiv Apolonia për një periudhë 5-vjeçare, duke mos e lejuar të ushtrojë profesionin e trajnerit. Për çdo sportist, qoftë ai dhe medalist, që do të dalë pozitiv nga kontrolli i kërkuar nga Federata do të ketë të njëjtën masë (përjashtim nga sporti).
Me respekt,
Presidenti i FSHP-së, Elez GJOZA!”.