Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të premten se kishte vendosur shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Tiranës Irena Hoxha. Hoxha, e cila iu nënshtrua vetingut në të tre kriteret, u gjet me probleme vetëm në kriterin e pasurisë.
Trupa që mori vendimin kryesohej nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Suela Zhegun. Gjatë seancës dëgjimore u vu në dukje se Hoxha kishte një bilanc negativ prej mbi 7 milion lekësh. Bilanci negativ varej kryesisht nga një hua prej 60 mijë eurosh marrë nga vëllai i bashkëshortit për blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2011. Nga hetimi i KPK rezultoi se kunati i gjyqtares nuk kishte burime te mjaftueshme financiare për të dhënë këtë hua.
Hoxha i kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe pretendoi se kishte provuar të ardhurat e kunatit në Greqi për gati 80 mijë euro. Por siç lë të kuptohet vendimi sipas KPK-së kjo shumë ishte e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e jetesës dhe krijuar kursimet për huanë në kohën e dhënë.
Hoxha ka një karrierë prej 25 vjetësh në gjyqësorë. Ajo ka filluar detyrën si ndihmës gjyqtare dhe kancelarë në gjykatën e Dibrës dhe në vitin 2011 është transferuar në kryeqytet.
/Burimi: Reporter.al/