Kjo është historia e vërtetë tragjike mbi të cilën u frymëzua përralla e famshme “E bukura dhe bisha”

Ndërsa përralla e famshme “E bukura dhe bisha” ka një fund të lumtur, historia e vërtetë mbi të cilën u bazua ajo ka një fund tragjik. E botuar për herë të parë në Francë si “La Belle et la Bête”, përralla e famshme për fëmijë e viteve 1740 u frymëzua pjesërisht nga jeta e pazakontë e të ashtuquajturit ‘njeriu i egër’ Pedro Gonzalez dhe nga martesa e tij me një grua të re e të bukur të quajtur Katerina.

I lindur në Tenerife të Spanjës në vitin 1537, dhe i dhënë si dhuratë për mbretin e Francës, Henry II, në vitin 1547, Pedro Gonzalez vuajti nga një gjendje e panjohur që tani njihet si hipertrikoza ose Sindroma e Ujkut, e cila bëri që fytyra dhe trupi i tij të mbuloheshin me shumë qime. Deri më sot ka pasur më pak se 50 raste të dokumentuara.

Në oborrin mbretëror të Henry-t, Pedro shihej si një kuriozitet ekzotik, njësoj si xhuxhët, gjigantët dhe gaztorët. Megjithatë, pasi vlerësoi intelektin e tij, mbreti Henry vendosi që t’i ndryshonte emrin ‘bishës’ në Petrus Gonsalvus dhe ta arsimonte. Me kalimin e kohës, ai mësoi tre gjuhë, dhe detajet e sjelljes së duhur në një oborr mbretëror. Ndërsa ka pak të dhënave arkivore mbi jetën e tij, në vitin 2021 “Revista de Historia Canaria” shkruante se bazuar në dokumentet e zbuluara së fundmi, Pedro kishte arritur të integrohej mirë në jetën e oborrit. Kur mbushi të 20-at, ai ishte bërë kamerier në tryezën mbretërore.

Më pas studioi për drejtësi, u bë një tregimtar i monarkut të ri Sharlit IX, dhe nga viti 1582 nisi të jepte leksione të jurisprudencës në Universitetin e Sorbonës. Megjithatë, disa rrëfime tregojnë se pas vdekjes së Henrit, gruaja e tij e pamëshirshme Katerina de Mediçi vendosi të kryente një eksperiment për të zbuluar se çfarë lloj fëmijësh do të prodhonte njeriu i saj i egër.

Në 1570 Petrus u martua me Katerina Rafelin, vajzën e bukur të një tregtari francez. Përpara dasmës mbretëresha nuk e paralajmëroi vajzën mbi pamjen e burrit të saj të ardhshëm. Reagimi i saj mundet vetëm të imagjinohet. Megjithatë, gjatë martesës së tyre të gjatë, 4 nga 7 fëmijët e tyre lindën me hipertrikozë.

Në dallim nga fundi përrallor i filmit vizatimor të realizuar nga Disney, Pedro vazhdoi të shihej si një çudi e rrallë. Pasi u dallua në gjykatën franceze, Pedro dhe familja e tij u dërguan jashtë vendit, në mënyrë që anëtarët e familjes mbretërore të Evropës të mund t’i binin në sy. Libri “Vajzat e mrekullueshme leshatore: Motrat Gonzales dhe botët e tyre” përshkruan se si fëmijët e Gonzalez iu dhuruan fisnikëve të tjerë dhe u trajtuan si kafshë shtëpiake në oborr.

Çifti i jetoi vitet e fundit të jetës në Itali. Sipas dokumentarit të Smithsonian Channel “The Real Beauty and the Beast”, fakti që nuk ka asnjë të dhënë për vdekjen e Pedros mund të jetë për shkak se ai tragjikisht nuk u konsiderua plotësisht njerëzor dhe kështu nuk i përshtatej një varrimi tradicional të krishterë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *