Altina Salihu është zgjedhur nxënësja më e mirë në botë. Por kjo e fundit ka një kërkesë ndaj krerëve të shtetit, duke i kërkuar leje që të refuzojë ofertat nga universitetet më të shquara botërore.
Nxënësja e talentuar nga Kosova ka arritur majat e suksesit, duke fituar kështu statusin si nxënësja më e suksesshme në botë, për moshat 16-17 vjeçare. Si rrjedhojë nxënëses nga fshati Burojë e Skënderajt, po i ofrohen bursa nga Universitetet Botërore.
Por dëshira e saj është të japë kontributin e saj në Kosovë duke e shprehur këtë hapur edhe ndaj krerëve shtetërorë.
“Ju lutem më bëni që t’i refuzoj këto oferta. Unë dua të kontribuoj në vendin tim. Aty ku jetojnë prindërit e mi, aty ku kam miq, aty ku kam shokë, ku kam zemrën edhe mendjen. Punoni për popullin, harroni urrejtjen dhe mbi të gjitha harrojini kritikat e juaja që po ju mbajnë peng. Në fund, hapini dyert mendjeve të reja që kanë mësuar më mirë se ju ta duan dhe ta ndërtojnë atdheun”, shkruan ajo.
Postimi i Plotë:
Të dashur miq, para ca ditësh u zgjodha nxënësja më e suksesshme për moshën 16-17 vjeçare në botë. Për këtë sukses që kam arritur pas disa muajsh do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve.
Disa muaj më parë më afruan bursë në një universitet në Amerikë për të vazhduar studimet në Astronomi. Para disa javësh po ashtu më afruan bursë në një universitet tjetër në Danimarkë për të vazhduar studimet në Psikologji.
Ajo që po mundohem të them është se Kosova jonë e dashur po humb dita-ditës shumë të rinj ambiciozë e që janë çelës i sukseseve të shteteve të zhvilluara perëndimore. Të dashur udhëheqës të vendit tim, Ju lutem më bëni që t’i refuzoj këto oferta. Unë dua të kontribuoj në vendin tim. Aty ku jetojnë prindërit e mi, aty ku kam miq, aty ku kam shokë, ku kam zemrën edhe mendjen. Punoni për popullin, harroni urrejtjen dhe mbi të gjitha harrojini kritikat e juaja që po ju mbajnë peng. Në fund, hapini dyert mendjeve të reja që kanë mësuar më mirë se ju ta duan dhe ta ndërtojnë atdheun.
Ndaluni dhe mendoni, ne kemi një shpresë, ajo është rinia e cila me anë të vullnetit të mirë sjell përparim. Për sukseset e mia u jam mirënjohëse dhe falënderuese së pari familjes sime, Kryetarit të Komunës së Skenderajt z. Fadil Nura, Drejtorit të Arsimit z. Kastriot Duraku, të gjithë shokëve e miqve të cilët ishin dhe mbeten motivi im. Mbi të gjitha lavdi Zotit që më dha gjithçka që më bën të ndihem e bekuar në këtë rreth ku jetoj.