Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, presidenti Ilir Meta u ka dërguar një letër të gjithë drejtuesve të institucioneve shtetërore, ku i kërkon që të zbatojnë ligjin. Duke marrë shkas nga e kaluara, siç shprehet kreu i shtetit, administrata në periudhën pas zgjedhore, që përkon nga dalja e rezultatit deri në krijimin e rij, ka ceduar, duke mos kryer punën e saj që ka ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët. E nisur nga kjo, në këtë letër Meta u kërkon institucioneve që të marrin masat e nevojshme.
“Në të kaluarën, në periudhat para dhe pas zgjedhore, dhe kryesisht përgjatë periudhës tranzitore që përkon nga momenti i zhvillimit të zgjedhjeve e daljes së rezultatit paraprak deri në fillimin e funksionimit të Kuvendit të ri, në veprimtarinë shtetërore në tërësi, janë konstatuar fenomene negative të natyrave të ndryshme, ku më së shumti, e për fat të keq, është vërejtur një apati e funksionimit në administratën publike e shtetërore, e cila nuk ka reflektuar një efiçiencë të plotë.
Në disa raste janë evidentuar veprime të qarta të shpërdorimit të funksionit publik, duke vendosur në rrezik zbatimin e legjislacionit në fuqi, me pasojë cenimin e interesave të shtetit, shkeljen e lirive e të drejtave të njeriut, por dhe uljen e cilësisë së shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve.
Veçanërisht në institucionet që ju drejtoni, kjo periudhë specifike mund të paraqes nivel të lartë të rriskut, për shfaqjen e veprimeve dhe/apo mosveprime të kundraligjshme, apo konstatimit të fenomeneve negative, e që padyshim kërkojnë trajtimin dhe referimin e tyre, sipas dispozitave ligjore respektive mbi sanksionet administrative apo penale.
Duke qenë se institucionet tuaja janë të lidhura drejtpërdrejtë me sigurimin dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, interesat fiskalë, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, administrimin dhe ruajtjen e resurseve e pronës publike dhe interesave të shtetit në tërësi, etj, që kanë ndikim direkt edhe në mbrojtjen e sigurisë kombëtare në Republikën e Shqipërisë, si President i Republikës, tërheq vëmendjen tuaj dhe kërkoj rritjen e përgjegjshmërisë në mënyrë të posaçme përgjatë kësaj periudhe, me qëllim që jo vetëm të zbatohet rigorozisht legjislacioni në fuqi, por të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për mbikqyrjen, identifikimin dhe raportimin pranë institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese të orientimeve, shtrëngimeve, veprimeve apo vendimmarrjeve që janë në kundërshtim të hapur me ligjin, të kujtdo punonjësi, funksionari, individi, apo subjekti fizik apo juridik privat”, shkruan Meta.
Ai i paralajmëron se do të ketë ndëshkime deri në përgjegjësi penale për shkelësit.
“Edhe një herë më duhet t’ju theksoj që, funksioni shtetëror nga ana juaj duhet të ushtrohet me integritet dhe përgjegjshmëri të lartë, ashtu sikundër ju shpreh mbështetjen time që, për çdo veprim/mosveprim që përbën shkelje të ligjit, të ndërmerren nga ana juaj të gjitha masat e duhura për respektimin e kuadrit ligjor në fuqi, e për të vënë para përgjegjësisë individuale administrative apo penale, çdo shkelës të ligjit”, shkruan Meta.