Klea Huta ka ndarë disa detaje të reja nga dasma e saj me Elgit Dodën dy javë më parë. Në një intervistë për median, Klea u ndal te kënga që i dedikoi Elgitit.
“Jam shumë e lumtur për të gjithë dashurinë që më kanë dhënë, për të gjithë njerëzit që e dëgjojnë e ma dërgojnë me video, që kanë filluar ta këndojnë nëpër dasma në momentin e tyre më të rëndësishëm. Është shumë e bukur. Edhe kur e nisa për ta bërë këtë këngë, doja me patjetër që të ishte diçka që na personifikonte ne të dyve, historinë tonë. Por gjithmonë në mendje kisha se kush është ajo histori dashurie që nuk ka kaluar këto gjëra që kemi kaluar ne. Dhe bashkë me Kledi Bahitin u përpoqëm ta bënim në atë formë që ta gjente veten kushdo. Edhe pjesën e Kridit që e kam futur tek “lulëzove ti një jetë në trupin tim”, si dhuratë për kohë të bukur dhe të vështirë, edhe një çift që nuk ka fëmijë mund të kenë lulëzuar pranë njëri-tjetrit dashurinë. Dashuria është në forma të ndryshme. Unë doja shumë që kurdo të ishte dasma, unë t’i kushtoja një këngë Elgitit. Po shpresoja në fakt që ai të mos ta bënte të njëjtën gjë, duke qenë se është shumë e pritshme nga ai si producent e kompozitor. Shpresoja që të mos e bënte sepse do mendonin që këngën e ka bërë ai. Por në faktë këngën e bëri Kledi Bahiti dhe unë ia mbajta të fshehtë Elgitit. Dy muaj para se të bëhej dasma unë kontaktova Kledin dhe i thashë që dua t’i bëj Elgitit një këngë surprizë. Jemi takuar gjithsesj tre herë në studio që është bërë teksti dhe është hedhur kënga. Pati një energji të jashtëzakonshme që në fillim. Ishte shumë e bukur. Sa i thashë Elgitit që kam një surprizë për të, ai u kthye direkt nga Kledi. Më duhet ta pranoj që qau, nuk e priste. U emocionua shumë.”- tha ajo.
Klea tha se dasma ka qenë kulmi i emocioneve të saj në jetë.
“Unë gjithmonë e kam ëndërruar të bëj një dasmë e ta shoh veten time me të bardha. Elgiti nga ana tjetër nuk i ka qejf këto gjëra tradicionale. Por nga dashuria e madhe pranoi që ta bënte (qesh). Vetë më propozoi një vit më parë, duhet ta dinte që do vinte. Unë fakt kisha filluar të mendoja që nuk do bënim dasmë, por pasi më propozoi… Dasma ka qenë kulmi i emocioneve të mia në jetë. Edhe pse kemi qenë të martuar ligjërisht prej 3 vitesh, jetojmë bashkë prej 5 vitesh, edhe pse kemi djalin, ai moment është komplet tjetër, magjike.”