Harta e re gjyqësore që parashikon reduktimin e numrit të gjykatave nuk pritet të rishikohet edhe pas protestave të avokatëve dhe kritikave nga organizatat për të drejtat e njeriut për cënimin e aksesit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, e thirrur në një dëgjesë publike nga Komisioni i Ligjeve e konsideroi atë “të përfunduar”, ndërsa shtoi se pritej vetëm miratimi nga qeveria që të nisë zbatimi i saj.
E pyetur nga deputeti demokrat, Gazmend Bardhi se çfarë do të bënte KLGJ me shqetësimet e ngritura në Komisionin e Ligjeve, kundërshtimin e Dhomës së Avokatisë dhe kritikat e tjera, Llagami tha se miratimi i saj në mbledhjen e datës 10 qershor ishte qëndrimi zyrtar dhe përfundimtar i KLGJ-së”.
“Ky vendim përfundimtar i është dërguar ministrisë së Drejtësisë,” tha ajo, duke bërë një detajim të etapave të hartimit të saj dhe konsultimit me grupet e interesit.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja theksoi gjithashtu se harta nuk do të rikthehej për ndryshime dhe se pritej vetëm miratimi nga ministria e Financave e faturës financiare që e shoqëron, para se të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave.
Harta e re gjyqësore veç shkrirjes së disa gjykatave në rrethe, parashikon edhe shkrirjen e 5 prej gjykatave të Apelit në vend duke lënë vetëm një të tillë në Tiranë. Po ashtu, ajo parashikon shkrirjen e 4 Gjykatave Administrative, duke krijuar vetëm 2 të tilla; një në Tiranë për Veriun e vendit dhe një në Lushnje për Jugun. Debati për hartën filloi që pas disa takime konsultative, në të cilat ajo u kundërshtua ashpër nga avokatët, për shkak se sipas tyre pengon aksesin e qytetarëve të drejtësia. Gjatë dëgjesës në Kuvend që zgjati disa orë, Llagami u përball me kritika dhe pyetje për problematikat që reduktimi i gjykatave do të sjellë në reduktimin e aksesit të qyterarëve në sistemin e drejtësisë. Deputetët e opozitës këmbëngulën se reduktimi i gjykatave të shkallës së parë dhe të atyre të apelit krijonte vështirësi për qytetarët që jetonin larg këtyre gjykatave.
Deputetja Dhurata Çupi citoi ligjin “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, që sipas saj “përcakton se harta e re gjyqësore duhet të përmbushë tre objektiva: (i) garantimi i aksesit në drejtësi, që lidhet me afërsinë e individit me gjykatën; (ii) uljen e kostove, me qëllim përdorimin me efektshmëri të burimeve publike; dhe (iii) rritjen e cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve të ofruara”. Sipas Çupit, projekti ka probleme me të tre kriteret, “pasi cënon afërsinë e individit me gjykatën, rrit kostot në kohë dhe para për qytetarët, si dhe cënon efektivisht cilësinë e shërbimit për qytetarët nisur nga vonesat e shumta që të prodhohen për gjykimin e një çështjeje”.
Llagami këmbënguli se KLGJ dhe grupi i punës i ngritur për këtë qëllim kishte pasur parasysh vetëm zbatimin e këtij ligji dhe një metodologjie objektive në hartimin e hartës së re, madje duke u drejtuar gishtin deputetëve se ata i kishin vendosur kriteret mbi të cilat kishte punuar ky grup pune.
“Ligji ka vënë kritere, një gjykatë duhet të ketë 7 gjyqtarë. Gjysma e gjykatave ka rënë, kur ju zotërinj të dashur keni ngritur dorën e keni miratuar ligjin me 3/5 –at,” u tha ajo deputetëve.
Po ashtu, Llagami përmendi dhe procesin e vetingut si faktor që kishte ndikuar në reduktimin e gjyqtarëve dhe numrin e dosjeve për gjyqtar si kriter matës. Por për Fatmir Xhafajn, që ka drejtuar komisionin e reformës në drejtësi, ligji nuk i kishte vendosur numër gjykatash, por vetëm disa kritere mbi të cilat duhej të bazohej hartimi i hartës.
“Prevalon aksesi në drejtësi, jo numri i dosjeve,” i tha ai Llagamit, duke shtuar se çdo qytetar që do t’i cënohej kjo e drejtë mund të ankohej me të drejtë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Cënimi i të drejtave të njeriut dhe mungesa e transparencës ishin shqetësimet që ngriti edhe Erinda Skëndaj, kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
“Metodologjia për vlerësimin nuk merr në konsideratë ligjin që ka të bëjë me aksesin në drejtësi. Gjatë diskutimeve me përfaqësues të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe KiE, na është thënë se Këshilli i Europës nuk e konsideron largësinë fizike nga gjykatat si pengesë të aksesit. Po kjo ndikon tek njerëzit e varfër, ata në nevojë, personat që jetojnë në zonat rurale dhe gratë,” u shpreh Skëndaj.
Po ashtu, ajo tha se mbledhjet e grupit të punës nuk kishin qenë transparente dhe se kur u hodh projekti në konsultim, këto konsultime nuk ishin të mjaftueshme dhe gjithëpërfshirëse. Llagami këmbënguli se aksesi në drejtësi nuk u mohohej qytetarëve, pavarësisht nga problematikat e largësisë fizike, pasi aksesin e mundësonte më mirë një gjykatë efiçente dhe pse larg vendbanimit.
“KLGJ nuk merret me kostot familjare, ne garantojmë akses në drejtësi,” u përgjigj ajo pyetjeve të përsëritura të deputetëve të opozitës lidhur me kostot financiare që do t’i shkaktonte qytetarëve shqiptarë dhe kryesisht atyre të zonave rurale largimi i gjykatave në qytete të tjera.
Ndërsa Manja tha se godinat ekzistuese të gjykatave që dalin jashtë funksionit, sipas hartës së re, nuk do të mbylleshin, por do të ofronin shërbime juridike të ndryshme për qytetarët. Në tryezë ishte i pranishëm dhe kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, i cili kërkoi pezullimin e hartës gjyqësore deri në miratimin e hartës së re territoriale nga Kuvendi. Haxhia u përball me kritika të forta nga socialistët për vendimin e bojkotit të seancave nga avokatët. Manja e paralajmëroi atë se do të kërkonte ndryshime ligjore për të bllokuar këtë grevë të avokatëve, pasi sipas tij, ishte antikushtetuese.
“Nuk funksionon procesi pa avokatin. Avokatët e kanë të kufizuar të drejtën e grevës, çka më bën që shumë shpejt do i drejtohem ligjvënësit për një ndryshim në ligjin e avokatisë,” tha Manja./reporter