Së shpejti do të nisë vaksinimi i stafeve të sektorit të turizmit dhe hotelerisë. Lajmin e bëri të ditur, ministri i Turizmit Blendi Klosi, duke sqaruar se vaksinimi do të kryhet sipas listave të përgatitura nga shoqatat në sektorin e turizmit. Këtë informacion, Klosi e dha gjatë një takimi me shoqatat në fushën e turizmit, hotelerisë, operatorëve turistike dhe restoranteve.
“Pra, gjithë atë stafe që në industrinë e turizmit kanë kontaktin e parë me operatorët turistik. Do të dëshironim shumë që të ishim një vend nga të parët në rajon edhe natyrisht me një iniciativë unikale mbase edhe në Europë, ku hoteleri turizmi të vaksinohet i pari të kemi mundësinë që të jemi ashtu si në vitin e kaluar një vend me kufi të hapur, një vend që pret turistë natyrisht nga i gjithë rajoni si zgjedhje e tyre e parë, por edhe tregje që tashmë i kemi konsoliduar dhe me vaksinimin masiv të gjithë sistemit të turizmit ne do të kemi mundësinë që të jemi përsëri konkurent të fortë në këtë industri shumë të vështirë”, tha Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.
Sipas tij, viti 2021 do të jetë më optimistë krahasuar me vitin që lamë pas, dhe pse sipas tij, bizneset ia dolën që të mbijetonin edhe në atë situatë të vështirë.
“Do të duhet nga shoqatat që ju përfaqësoni të kemi një listim të hoteleve të cilat kanë kontratat më të sigurta me operatorët turistik. Do të duhet të kemi një listim të hoteleve dhe pikave që vizitohen më shumë dhe janë le të themi ato pikat e para që duhet të vaksinohen, pasi ne kemi mundësi që të vaksinojmë një numër të konsiderueshëm të sektorit të turizmit, por mundësitë nuk janë pa fund. Prioritetet do të vazhdojnë të jetë vaksinimi i grupeve të targetuara tashmë dhe sidomos të moshës së tretë, të cilët janë më të rrezikuar. Por, do të doja shumë që ne ta rikthenim edhe këtë proces në një proces marketing për Shqipërinë, në një process ku ajo çfarë ne kemi edhe kryefjalën e turizmit shqiptar mikpritja edhe sjellja e mirë karshi qytetarëve të shoqërohet edhe me një garantim nëpërmjet vaksinimit të higjienës dhe të kushteve të trajtimit të sëmundjes”, tha Ministri Klosi.
Vaksinimi i stafit të hoteliereve ishte një kërkesë e vetë pronarëve të bizneseve, pasi sipas tyre do të ishte një lehtësim shumë i madh “për të marrë veten” nga goditja që morën në verën e 2020.