Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të mblidhet të hënën më 27 maj për të vendosur mbi fatin e mandatit të kryetarit të këtij institucioni, Alfred Balla, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi ta largojë atë nga sistemi i drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare. Mbledhja është thirrur nga zv.kryetari i KLP-së, Tartar Bazaj.
Qëndrimi i Ballës në krye të KLP-së bie ndesh me vendimin e 21 majit të KPA-së, i cili është menjëherë i zbatueshëm. Megjithatë, BIRN mësoi se Balla po i vazhdon funksionet e tij dhe ndodhet aktualisht në një vizitë zyrtare në Itali.
Përmes një njoftimi të martën, Balla e sulmoi vendimin e KPA-së si “të turpshëm” dhe interpretoi se vendimi nuk kishte lidhje me statusin e tij aktual në KLP.
“…Ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GJEDNJ,” pretendoi si.
I pyetur nga BIRN, zv. kryetari Tartar Bazaj shpjegoi se ai dhe shumica e anëtarëve të KLP-së gjenden në Romë për një vizitë zyrtare, ndaj edhe nuk janë mbledhur deri tani. Ai shpjegoi se ka thirrur të hënën në orën 11:00 mbledhje plenare të Këshillit me një pikë të vetme në axhendë, atë të “deklarimit të përfundimit të mandatit” të kryetarit aktual, Alfred Balla.
Balla nuk ishte i arritshëm për koment deri në publikimin e këtij shkrimi./BIRN