KLSH ngre alarmin për pensionet: Të ardhurat nga kontributet nuk mjaftojnë për mbulimin e shpenzimeve të skemës!

22 herë është ndryshuar ligji i pensioneve në Shqipëri, por skema vazhdon të jetë një gropë e madhe buxhetore. Pas auditimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, KLSH ka dalë në përfundimin se as reforma e pensioneve e bërë nga qeveria në vitin 2014 nuk i ka dhënë zgjidhje problematikave të skemës së sigurimeve shoqërore në vend, e cila për të mbuluar nevojat duhet të financohet çdo vit me qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve.

KLSH thotë se për vitin 2021 subvencioni i llogaritur nga buxheti I shtetit për skemën e pensioneve ishte 37.7 miliardë lekë, ose rreth 320 milionë euro. Sipas KLSH-së të ardhurat nga kontributet nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të skemës së pensioneve duke krijuar një deficit të vazhdueshëm nga viti në vit.

Aktualisht për çdo kontribues ka 1.42 përfitues. Shkalla e zëvendësimit (pension mesatar/ kontribute mesatare) është shumë e ulët, duke nxitur informalitetin në këtë drejtim. Gjithashtu Shqipëria vijon të ketë një nivel të ulët të të ardhurave nga kontributet shoqërore në raport me prodhimin e Brendshëm Bruto, duke shënuar 5.4% në vitin 2021.

KLSH ngre alarmin se ka një numër të konsiderueshëm të subjekteve debitore prej më shumë se 103 mijë njësi (kryesisht të biznesit të vogël), duke shkaktuar pasoja të këtyre kontribuesve në përfitimin e pensioneve.

Në kushtet aktuale KLSH ka rekomanduar të ISSH në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë të hartojë Strategjinë e Zhvillimit të sistemit të Sigurimeve Shoqërore, me qëllim arritjen e konsolidimit të skemës, si dhe të mundësojë rritjen e performancës nëpërmjet një reforme të qëndrueshme që I përgjigjet problematikave të sistemit të sigurimeve shoqërore.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *