Serbia, Kosova dhe Bashkimi Evropian duhet të parandalojnë që tensionet e fundit të përzihen në luftën e Vladimir Putinit kundër Perëndimit, ka shkruar Andreas Kluth, kolumnist i “Bloombergut” të enjten për çështjen e reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e që shkaktoi barrikadim të serbëve në veri të vendit.
Sipas tij, një rikthim i luftës në Kosovë do të ishte më e vogël në përmasa se lufta në Ukrainë e do t’i mungonte fantazia e armëve bërthamore, por do të hidhte dyshime mbi vlerat, vendosmërinë dhe besueshmërinë e Bashkimit Evropian.
“‘Putini i madh’ – ky është presidenti i Rusisë, Vladimir Putin – do të ishte i kënaqur. ‘Putini i Vogël’, në këtë rast është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mund të ndizte një konflikt të ri në Kosovë”, ka shkruar Kluth.
Ai ka shtuar se përbërja gjeopolitike do të ishte e njëjtë në dy anët. BE-ja e NATO-ja do të përkrahnin Kosovë, e Rusia dhe Kina Serbinë. Kluth ka shtrirë edhe paralele të tjera se Putini e Vuçiqi udhëheqin kombe ortodokse sllave të dala nga shtete komuniste, që u shpërbënë pas Luftës së Ftohtë. “Rusët dhe serbët, për më shumë, e konsiderojnë njëri-tjetrin të afërm etnik dhe fetar”, ka shkruar Kluth. “Të dyja kombet ushqejnë komplekset e viktimizimit, si dhe të epërsisë, dhe ankesave ndaj shteteve fqinje që duan të jenë të pavarura, por që janë shtëpi e shumë rusëve e serbëve”.
Në opinionin e tij, Kluth ka kujtuar se Sllobodan Millosheviqi kreu terror mbi shqiptarët e Kosovës dhe gjatë gjykimit vdiq në Hagë. “Putini hyri në lojë menjëherë më pas: duke sulmuar Gjeorgjinë më 2008 dhe Ukrainën më 2014 dhe sivjet me forcë të plotë”.
Sipas Kluthit, serbët e rusët pajtohen edhe për çështjet e ushtrisë. Të dyja nuk e duan NATO-n dhe e fajësojnë për luftërat në Kosovë e Ukrainë.
Ndërkaq sa i përket dallimeve mes dy çështjeve, Kluth ka thënë se Ukraina së fundmi u bë kandidate për pranim në BE, ndërsa Rusia e Putinit dëshiron “ta shkatërrojë bllokun”, siç ka deklaruar ish-kancelarja gjermane Angela Merkel. Ndërkaq, Serbia e Kosova të dyja thonë se duan të bëhen anëtare të BE-së, bashkë me shtetet tjera të ish-Jugosllavisë, që ende s’janë pjesë e bllokut.
“Kjo nënkupton se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë standardet e BE-së për sundim të ligjit, demokraci e qeverisje të pastër. Po ashtu duhet të bëjnë përpjekje të zgjidhin luftën mes tyre. Asnjë shtet me çështje të hapura territoriale nuk mund t’i bashkohet BE-së”, ka shkruar Kluth.
Çështja që ka nxitur tensione së fundmi, për targat dhe letërnjoftimet, nga Kluthi po shihet si “jashtëzakonisht banale”.
Teksa ka shpjeguar për vendimin e Qeverisë së Kosovës që kërkon largimin e tabelave ilegale për t’i zëvendësuar me tabela RKS dhe vendimin për reciprocitet mbi letërnjoftimet, Kluth ka thënë se menjëherë pas tensioneve “Beogradi dhe Moska kanë përdorur megafonat propagandues dhe shkaktuan panik se Kosova po planifikon t’i përzë ose t’i vrasë serbët”.
“Një deputet i Serbisë kujtoi se Serbia ‘mund të detyrohet të nisë denazifikimin e Ballkanit’ duke i bërë jehonë halucinacioneve qesharake, por të frikshme të Putinit për Ukrainën para nisjes së pushtimit”, ka thënë Kluth.
Sipas tij, ishte vetë Vuçiqi që nxiti tensionet “duke u përpjekur të tallej me narrativen që Kurti po bën se ky konfrontim ballkanik është ripërtëritje e luftës në Ukrainë”.
Në fund ai ka shkruar se po që se Vuçiqi nuk dëshiron luftë, atëherë dy shtetet duhet të dëshmojnë menjëherë vullnetin e mirë dhe të arrihet paqja.
“Po që se Vuçiqi luan rolin e Putinit, kjo do ta bënte Kurtin si presidentin heroik ukrainas, Volodymyr Zelensky. Historia do ta detyronte BE-në, SHBA-në, NATO-n dhe gjithë Perëndimin të merrte anën e Kosovës. Është inkurajuese që Vuçiqi po e hedh poshtë këtë kornizë. Kjo sugjeron që ai po e sheh veten si diçka më ndryshe pos si ‘Putini i Vogël’ dhe se dëshiron të shmangë gjakderdhje e ndoshta edhe të planifikojë një të ardhme të përbashkët evropiane për të dyja vendet, ku kufijtë s’do të kishin rëndësi e popujt do të jetonin në paqe, dinjitet e liri. Nëse është kështu, Vuçiqi dhe Kurti duhet të dëshmojnë vullnetin e tyre të mirë tash. Është shumë rrezik për të nisur një luftë të re – qoftë për targat a ndonjë gjë tjetër”, ka përfunduar Kluthi.
Kluth është kolumnist i “Bloombergut” për çështjet e politikave evropiane. Ai ka qenë kryeredaktor i “Handelsblatt Global” dhe opinionist për the “Economist”.