Autoritetet në qytetin e Korçës kanë arrestuar së fundmi një prej shtetasve të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antidrogë “Knock Down 2”, duke çuar totalin e të ndaluarve për këtë rast në 27.
Raportohet se autoritetet arrestuan shtetasin Gentian Koçoli, pasi 39-vjeçari akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim, ndërsa mbeten ende në kërkim 8 persona në lidhje me çështjen.
Sakaq, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Korçë/Vijon operacioni antidrogë i koduar “Knock down 2”.
Vihet në pranga 1 tjetër shtetas i shpallur në kërkim, në kuadër të këtij operacioni.
Shkon në 27 numri i të ndaluarve dhe në 8 numri i të shpallurve në kërkim.
Në vijim të punës për vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antidrogë “Knock down 2”, të finalizuar më datë 28.10.2022, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Korçë bënë ndalimin e shtetasit në kërkim Gentian Koçoli, 39 vjeç, banues në Korçë.
Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.