Ditën e sotme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet në Kishën Katolike në rrugës e “Kavajës”. Ai tha se në vigjilje të Pashkës kemi shumë nevojë të kujtohemi se dashuria e mund urrejtjen, se bashkimi e mund përçarjen.
“Më vjen mirë që kisha është dyfishuar si hapësirë. Ne, si bashki, kemi bërë vetëm detyrën, sepse besoj se pjesa më e vështirë nuk është ndërtimi fizik, por ndërtimi shpirtëror për komunitetin. Uroj të jetë një Pashkë e bekuar! Ju falenderoj shumë që më pritët në gjirin tuaj. Ndoshta, kemi më shumë nevojë se kurrë për kujtesën e Pashkës, se jeta e mund vdekjen, se dashuria e mund urrejtjen, se bashkimi e mund përçarjen. Komuniteti katolik është ndoshta një nga komunitetet më të persekutuara nga regjimi komunist, dhe fakti që sot, jo vetëm në fjalët e tua, Padër Zef, por edhe në fjalët e komunitetit, nuk ka urrejtje, nuk ka mëri, nuk ka inat, përkundrazi me shumë përulësi, jo duke harruar të kaluarën, por duke parë nga e ardhmja dhe duke ecur përpara, besoj se i shërbejmë më mirë të gjithëve. Ne do mundohemi të bëjmë pjesën tonë dhe unë jam vërtetë krenar që bëmë shkolla, kopshte, çerdhe, por pa pjesën shpirtërore misioni ynë ishte si i ndërprerë në mes”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se një qytet i mirë ka hapësirë për të gjithë. “Çfarë rastësie që, në Muajin e Ramazanit, kemi edhe Pashkën Katolike, Protestante, edhe Pashkën Ortodokse, si për të na dhënë një mesazh se një qytet i mirë ka hapësirë për të gjithë. Një qytet i mirë nuk është monopol i askujt, ka hapësirë për besimet, ka hapësirë për moshat, ka hapësirë për prejardhjet nga të gjitha cepat e Shqipërisë, por edhe të botës”, u shpreh kreu i Bashkisë.
Padër Zefi falenderoi kryetarin e Bashkisë për mbështetjen e dhënë për Kishën dhe besimtarët katolikë. “Dëshiroj t’ju falenderoj nga zemra për gjithçka keni bërë, sepse keni bërë shumë. Ju falenderoj shumë edhe për gatishmërinë dhe gjithçka që keni bërë për komunitetin tonë”, tha ai.