Komisioni i Rithemelimit në Partinë Demokratike është duke vazhduar procesin zgjedhor për kryetar dege, në qytetet të rëndësishme si Shkodra, Lezha, Korça apo Mirdita.
Pritet që në Shkodër votimi të mbahet në ambientet e teatrit “Migjeni”, ndërkohë që në garë janë 4 kandidatë, Arben Lusha, Gjenarin Kapçari, Vildane Gushta dhe Elvis Deda. Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme 3 kandidatë janë tërhequr nga gara për kreun e PD-së, ndërsa sot votimi ka nisur normalisht pa vonesa. Dega e Shkodrës është një prej më të mëdhajave në PD, ku llogaritet të jenë rreth 6 mijë votues.
Ndërsa në Korçë kandidatët janë Devis Osmani, Ledina Alolli, Arben Fezolli dhe Mateo Balli.
Sakaq, në Lezhë 3 janë kandidatët në garë Arben Ndoj, Anton Gjoni dhe Alen Kola. Në Mirditë kandidat janë Gjon Ndoj, Albert Melyshi dhe Aleksander Picaku dhe numri i anëtareve të thirrur për të votuar është rreth 1200.
Përsa i përket partisë, fati i drejtimit të PD-së është ende në Gjykata, dhe grupi parlamentar është më i përçarë sesa kurrë, kjo edhe për faktin se Komisioni i Rithemelimit, nuk hoqi dorë nga mbajtja e zgjedhjeve, duke pretenduar të jetë organi drejtues legjitim i partisë. Nga ana tjetër, kryetari i komanduar pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeaj, publikoi një platformë të mbështetur nga 30 deputetë, ku kërkonte ndërprerjen e procesit zgjedhor të nisur në bazë, si hapi i parë për të sjellë edhe bashkimin e Partisë.
Njoftim i Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale:
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike njofton se po zhvillohen zgjedhjet për Kryetar të PD në 9 degë.
Procesi i votimit ka filluar në orën 8.00 e do vijojë deri në orën 18.00. Nëse do ketë anëtarë që nuk kanë votuar në Qendrën e Votimit, procesi do të shtyhet edhe pas orës 18.00 derisa të ketë votuar edhe anëtari i fundit i PD.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e PD të degëve të sipërpërmendura të bëhen pjesë e procesit të votimit për zgjedhjen e Kryetarit të degës së tyre sipas parimit “një anëtar një votë”, për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë e më të hapur.
Kandidatët për Kryetar dhe qendrat e votimit sipas degëve janë në tabelën bashkëngjitur.