Kokainë në ngarkesën me “Banana King”, zbulohet itinerari! Erdhi nga Ekuadori 2 ditë më parë..

15 kilogramë kokainë janë kapur deri tani në Portin e Durrësit mesditën e sotme, në një kontejner të ngarkuar me“Banana King” që vinte nga Ekuadori. Aktualisht po zbrazet sasia e bananeve dhe nuk dihet ende sa është sasia totale e drogës.

Referuar të dhënave kokaina u gjet pas një kontrolli të Policisë Kufitare, pas informacioneve të marra, ku nga skaneri rezultoi se kontejneri kishte pësuar modifikime në pjesën e bazamentit, në të cilën edhe u gjet më pas e fshehur droga. Ngarkesa vinte për llogari të kompanisë shqiptare “Alba Exotic fruit”, me seli në Kombinat, Tiranë, dhe që operon në treg që nga viti 2011, ndërsa pronarë të saj janë Eduart Dauti dhe Barjon Gumeni.Kompania  ‘Alba Exotic Fruit’ rezulton e përmendur edhe më parë në ‘histori’ me trafik droge, ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet.

Kontejneri kishte mbërritur në Portin e Durrësit dy ditë më parë dhe ishte nën vëzhgimin e autoriteteve për të kapur personin që do të shkonte për të marrë ngarkesën. Ky person, identiteti i të cilit nuk bëhet ende me dije, është shoqëruar nga Policia, ndërsa po ashtu autoritetet kanë shoqëruar edhe menaxherin e firmës shqiptare që kishte porositur ngarkesën me banane.

Itinerari kamionit

Ndërkaq është zbardhur i gjithë itinerari që ka ndjekur kontejneri me banane ku ishte ngarkuar droga. Kontejneri është nisur nga Ekuadori në datë 26 maj dhe në total ka ndaluar në 5 porte. Ndalesa e parë pas nisjes është në Guayaquil të Ekuadorit në orën 02:47 të 27 majit. Aty ka qëndruar për 2 ditë dhe më pas mëngjesin e 29 majit është nisur drejt Marokut të Afrikës së Veriut. Edhe në këtë ndalesë, kontejneri ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë, nga data 16-24 qershor. Nga Maroku, kontejneri ka udhëtuar drejt portit të Greqisë për të mbërritur më pas në Portin e Durrësit, ku dhe pas kontrollit të detajuar u gjet 15 kg kokainë.

Trafikimi i sasive të mëdha të kokainë po përmes kontejnerëve me banane nga Ekuadori, është një skenar që përsëritet në Portin e Durrësit. Kujtojmë se më 18 qershor, u kapën në Portin e Durrësit një sasi shumë e madhe kokaine, plot 324 kilogramë e 400 gramë, drogë që kalonte tranzit në territorin shqiptar me destinacion Italinë. Sasia e kokainës u gjet nga policia e Durrësit në serbratorin e një kamioni me targa të huaja, ndërkohë që u prangos shoferi 40-vjeçar i mjetit, me shtetësi të Maqedonisë së Veriut Nazif Ajrofski.

Ndërkohë që më 10 prill një tjetër sasi prej 143 kg kokainë e ndarë në 120 pako u kap nga Policia Shqiptare. Kokaina u  gjet po në një konteinier të mbushur me banane për llogari të kompanisë shqiptare ‘Masabi Fruits’ me seli në Kombinat të Tiranës, në anijen ‘Dance’ që u nis nga Ekuadori. Pakot e kokainës kishin të stampuar foton e Pablo Eskobar, narko-trafikantit kolumbian  si dhe shënimet “El mejor” (më e mira) dhe “Viejon” (i moshuari) dhe ishin të mbështjella me natriban kaf dhe të zi. Për ngarkesën, policia arrestoi në flagrancë dy ortakët e kompanisë ‘Masabi Fruits’, Klajdi Xibrakun dhe Erion Petin.

Ndërsa  më 1 prill, në Portin e Durrësit u kap një tjetër sasi më e vogël, 49 kg kokainë, që vinte nga Amerika Latine në një konteinier me banane në pronësi të Selim Çekaj, babai i Arbën Çekaj, ky i fundit i dënuar me 14 vite burg për sasinë 613 kg kokainë në 2018. Të dy ndodhen aktualisht në burg.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *