Të gjithë shoferët në Shqipëri që drejtojnë automjete me shumë vite përdorim, por mbi të gjitha që nuk u bëjnë në kohën e duhur shërbimet e mirëmbajtjes, ka ardhur koha që të mendojnë seriozisht.
Me shumë gjasë, një pjesë e automjeteve të vjetra nuk do të kenë mundësinë më që të qarkullojnë nëpër rrugët e vendit dhe do të pajisen me një “shirit të kuq” që u ndalon qarkullimin.
Kjo duket se do të bëhet për automjetet e amortizuara dhe burim aksidentesh.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Rrugore, Blendi Gonxhe, ka bërë një paralajmërim të fortë për nxjerrjen nga qarkullimi të mjeteve që janë në gjendje të rëndë. Në emisionin “Top Talk”, Gonxhe sqaroi se mjeteve duhet t’i jepet 1 muaj kohë për riparimin, në të kundërt nuk do të dalin më në rrugë.
“Në legjislacionin tonë, nuk kemi tagrin që të ndalojmë kategori të caktuara mjetesh që të mos dalin në qarkullim. Ne mund të ndalojmë që mjetet 1 nga 1 të kenë 1 muaj kohë për riparimin, përndryshe humbin të drejtën për të dalë në rrugë”,- tha Gonxhe.
Ndër të tjera, Gonxhe foli edhe për mjetet që nuk e kanë kaluar kontrollin teknik duke thënë se, situata është e rëndë pasi rezultojnë me certifikatë kolaudimi nga viti i kaluar. Këto mjete rezultojnë se kanë qenë shkak aksidentesh ose kanë shkaktuar aksidente për të tjerët.
“Ajo që po shikojmë është pamjet nga mjetet më skandaloze që kemi ngelur në test këto 2 muaj që kanë qenë pothuajse 100% me certifikatë kolaudimi nga viti i kaluar. Duhet të them që janë mjete që janë kolauduar në këtë gjendje, se po të hysh nën to që duket qartë se me siguri nuk janë bërë që prej herës së fundit.
Situata është e rëndë. Jo pa dijeninë e strukturave që kanë bërë kontrollin teknik, këtu është vendi për një strukturë më të gjatë mbi mossuksesin e një shërbimi të kontrollit teknik si ai që kishim zgjedhur ta kishim me koncesion. Vërejmë se këto mjete ose kanë qenë shkak aksidentesh, ose kanë shkaktuar aksidente për të tjerët”,- tha Gonxhe.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Rrugore, Blendi Gonxhe, shtoi se, pritet që të bëhet një regjistër për gjendjen e mjeteve, një pjesë e madhe e të cilave shkojnë për t’u riparuar.
“Ne do të bëjmë një mbledhje për të parë gjendjen jo të mirë të këtyre mjeteve, të cilat janë rreth 20-25% e atyre që ngelim përditë, të të gjithë numrit që paraqitet në kolaudim. Është një numër i lartë në dukje por nuk përfundon i gjithi në rrugë. Këto mjete shkojnë për t’u riparuar, ky është lajmi i mirë”,- u shpreh Gonxhe.
/Burimi: TCh/