Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një konferencë për mediat tha se vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i cili vendosi që emri i Sali Berishës të mos vendoset në fletën e votimit është një lojë e Edi Ramës nga paniku i humbjes më 14 maj.
Sipas Ilir Metës, halli i Edi Ramës është se ai nuk ka kandidatë përballë rivalëve, pasi siç u shpreh ai “ata janë kukulla që firmosin për të vjedhur”.
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor tha meta, ka zero ndikim tek votuesit.
“Zero ndikim tek votuesit, lojërat që bën Edi Rama në panikun e humbjes së rëndë që e pret në 14 maj me cic-mice të tilla që turpërojnë Kolegjin Zgjedhor dhe çdo institucioni që pretendon se është i pavarur. Është zgjedhje e forcave politike që përbëjnë koalicionin që të paraqiten me një emër apo jo dhe po kështu mund të jetë dhe duhet të jetë emri në rast se është e domosdoshme.
Por të gjitha këto lojëra nuk ka qytetar të Tiranës dhe Shqipërisë që nuk e kupton hallin e madh që ka gjetur Ramën, halli i madh është se ai nuk ka kandidatë për ballë kandidatëve tanë. Ai ka ca kukulla që firmosin për të vjedhur dhe për të ndarë plaçkën e pushtetit vendor së bashku me Edi Ramën. Një pjesë prej tyre i ka çuar në burgje dhe prokurori, shumë të tjerë kanë dhënë dorëheqjen për shkak të skandaleve dhe të tjerë presin radhën për të shkuar atje ku e kanë vendin shpërdoruesit e taksave të qytetarëve”, tha Ilir Meta.