Komisioneri i BE-së, në Tiranë/ Varhelyi i prerë për zgjedhjet e 25 prillit: Presim rezultate të qarta për parregullsitë dhe blerjen e votës  

Bashkimi Europian i ka dhënë sinjale të qarta politikës shqiptare ne lidhje me rrugën që duhet të ndjekë drejt çeljes së negociatave. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi, ishte i prerë për zgjedhjet e 25 prillit 2021, ku nga Rinasi u kërkoi palëve dhe institucioneve hetim të plotë mbi procesin.

Në fjalën e tij, krah kryeministrit Edi Rama, Varhelyi tha se, BE pret që të shikojë parregullsitë apo faktet mbi blerjen e votave. Por gjithashtu ai shtoi se, me rëndësi është që Kuvendi të jetë i plotësuar edhe me opozitën.

“Kemi qenë në kontakt edhe për zgjedhjet, e kam ndjekur nga afër ccdo gjë që po ndodh edhe atë që ka thënë OSBE. Mendoj se pas një situate të zjarrtë mendoj se na duhen rezultate të qarta.

Duam të shohim parregullsitë apo blerjen e mundshme të votave, por pas këtij procesi na duhen rezultate përfundimtare. Na duhet që Kuvendi të nisë punë shumë shpejt për reformat e BE. Pa një Kuvend të plotë është e pamundur të ecet përpara dhe ka ende punë për të bërë.

Në lidhje me pyetjen e dytë, nëse do të ndodhë kjo gjë atëherë që puna jo vetëm që duhet të vazhdojë por duhet të përshpejtohet, jo vetëm nga qeveria por edhe nga Kuvendi i ri. Po presim rezultatin e procesit të apelimit. Presim që Shqipëria të punojë për anëtarësimin në BE”.

Më tej mesazhi i prerë që Komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi, iu dërgoi palëve politike në Shqipëri ishte se: “Pa parlament të plotë nuk ka BE”.

Komisioneri përgëzoi punën e ambasadorit Luigi Soreca dhe foli edhe për ankimimin e rezultatit të zgjedhjeve. “Presim rezultatet”,- tha ai.

Në vijim, fjalën e mori kryeministri shqiptar Edi Rama i cili për herë të parë para një ndërkombëtari, i shtriu opozitës dorën për bashkëpunim. Rama tha se “PS do ta braktisë llogoren e asaj lufte të vjetër bajate, banale, krejt të panevojshme për vendin. Do ta mbajmë dorën të shtrirë pa asnjë ndërprerje për opozitën, për PD”, -tha Rama.

Të dy u pyetën në lidhje me publikimin e dokumenteve “non-paper”, dhe komisioneri tha se dokumente të tilla nuk janë të vërteta. Varhelyi foli qartë kur tha se synime për ndryshimin e kufijve në Ballkan kanë vetëm një përfundim “luftë”. “Ripëcaktimi i kufijve e dimë të gjithë ku na çon”,- tha ai.

Por pse mbërriti sot komisioneri në Tiranë?

Shqipëria ishte pika e radhës e ndalesës së Komisionerit, i cili është drejtues i procesit të shpërndarjes së vaksinave në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria do të përfitojë nga BE 145 mijë doza “Pfizer” deri në muajin gusht, ndërkohë që edhe vende të tjera do të kenë dozat e tyre.

Por në axhendën e Varhelyit, ka edhe takime politike. Komisioneri pritet të zhvillojë një takim me Lulzim Bashën në selinë blu, ku pritet të njihet me qëndrimin zyrtar të opozitës pas zgjedhjeve.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *