Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda i ka bërë thirrje televizionit publik Top Channel që të fshijë videon e të ftuarës në emisionin e pasdites “Ftesë në 5”, Zhakalin Lakatari, pasi sipas tyre, ndaj aktivistes janë përdorur komente seksiste.
Sipas Komisionerit, dhuna verbale, psikologjike dhe shprehje të gjuhës seksiste dhe denigruese janë të papranueshme dhe për më shumë të dënueshme kur përdoren në hapësira publike mediatike, në një orar ku para ekranit janë edhe të miturit.
Postimi i plotë:
Deklaratë për mediat
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi u sinjalizua në rrjetet sociale dhe u njoh përmes medias me incidentin e ndodhur në emisionin e pasdites së djeshme në Top Channel (Ftesë në 5, ora 17.00 – 29/09/2022), ku ndaj aktivistes dhe gazetares Zhaklin Lekatari përdoren shprehje të gjuhës seksiste dhe denigruese per shkak gjinie, si dhe gjuhë e dhunshme nga personi Olsi Jazexhi.
Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh keqardhjen per mosmarrjen e masave adeguate nga ana e drejtueses së programit. Gjithashtu, i kërkon Televizionit Kombëtar “Top Channel, Departamentit përgjegjës të programacionit dhe moderatores që të marrin masat paraprake të përkohshme të heqjes së videos nga të gjitha kanalet e tyre zyrtare dhe jo zyrtare, si dhe të bashkëpunojnë me hetimin e nisur kryesisht nga Komisioneri.
Dhuna verbale, psikologjike dhe shprehje të gjuhës seksiste dhe denigruese janë të papranueshme dhe për më shumë të dënueshme kur përdoren në hapësira publike mediatike, në emisione me audiencë të gjërë dhe në fasha orare me rezonancë të lartë të popullsisë, ku përfshihen edhe fëmijët dhe të rinjtë.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi garanton me ligj të drejtat e njeriut dhe lufton diskriminimin, duke promovuar barazinë, tolerancën dhe mirëkuptimin.
KMD
30/09/2022