Komisioneri Publik njoftoi të premten se kishte ushtruar ankim ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të konfirmuar në detyrë prokurorin Hysni Mulaj. Komisionerja Irena Nino, e cila ka përpiluar ankimin, i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shkarkojë Mulajn pasi sipas saj ai nuk ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.
“Komisioneri Publik konstaton se, nga shqyrtimi i vendimit nr. 539/2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe akteve shoqëruese të tij, paraqiten rrethana të tilla ligjore e fakti, që e bëjnë të cënueshëm vendimin në tërësinë e tij, si dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit”, thuhet në njoftimin e ankimit.
Ndërkohë në ankim Nino thotë se Komisioni ka vlerësuar gabim gjendjen e pasurive dhe mundësive financiare të subjektit. Sipas saj prindërit e Mulajt nuk kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar një hua dhe një dhurim në vlerën 4.5 milion lekë. Nino thotë po ashtu se vlerësimi i Komisionit në lidhje me të ardhurat e të afërmve të subjektit nga emigracioni bie ndesh me precedentët e vendosur tashmë nga kolegji. Sipas Komisioneres, Mulaj nuk ka dëshmuar ligjshmërinë e të ardhurave nga emigracioni, të ardhurave të prindërve nga bujqësia e të ngjashme.
“Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e ankimit të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të një hetimi të plotë, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 539, datë 8.6.2022, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Hysni Mulaj”, thuhet në njoftimin e ankimit.
Mulaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i pavarur i Kualifikimit në 8 qershor të këtij viti, pas dy seancave dëgjimore. Trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Firdes Shulin, e gjeti fillimisht Mulajn në seancën e marsit 2022 me pamundësi financiare për të mbuluar shpenzimet, kursimet dhe blerjen e një apartamenti. Po ashtu me pamundësi u gjet babai i tij i cili i kishte dhënë një hua prej 4 milion lekësh dhe një dhuratë 500 mijë lekë. Mulaj i kundërshtoi gjetjet duke këmbëngulur të uleshin shpenzimet, të konsideroheshin të ardhurat nga bujqësia dhe të ardhurat nga emigracioni. KPK vendosi të rihapë hetimin dhe zhvilloi një seancë të dytë dëgjimore në 27 maj. Në këtë seancë KPK njoftoi se ishin pranuar disa nga parashtrimet e Mulajt.
Në vendim KPK shprehet se Mulaj rezultoi në fund të hetimit me një bilanc negativ prej 1.5 milion lekësh. Ky bilanc ishte i shpërndarë në 4 vite, 1.3 milion në vitet 2005, 2007 dhe një shumë prej rreth 200 mijë lekësh në vitet 2010 dhe 2014. Komisioni arsyetoi se këto shuma nuk ishin të mjaftueshme për të vendosur shkarkimin e Mulajt.
“Për të arritur në këtë përfundim, Komisioni i është referuar edhe faktit se në analizën e financiare, për periudhën 2003 − 2016, balancat negative janë të shtrira ndër vite, duke çmuar se proporcionalisht këto konstatime nuk janë të mjaftueshme për t’u konsideruar si deklarim i pamjaftueshëm”, thuhet në vendim./BIRN