Nga Entela Resuli
Botuar në DITA
Është mbajtur dje në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit seanca e radhës për drejtuesen e prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj.
Si fillim, e mori fjalën avokati i prokurores Gregori Twon, i cili tha para trupës gjyqësore të KPA se për të vlerësuar figurën e prokurores, Kolegji duhet të bazohet në prova dhe jo në burime anonime, duke iu referuar disa denoncimeve që janë bërë nën anonimitet kundër prokurores.
Më pas ishte Imeraj ajo që mori hap pas hapi të gjitha çështjet që ishin ngritur në drejtim të saj, për t’i sqaruar dhe kundërshtuar duke paraqitur provat e saj shkresore. Ajo kërkoi që këto dëshmi të merreshin në cilësinë e provës nga ana e KPA.
Imeraj u ndal të sqaronte disa aspekte mbi çështjet e ngritura për verifikimin e figurës së saj.
“Sipas Theo Jakobs unë duhet te mbaja mend një incident i cili kishte ndodhur mes një studenti (ish bashkëshorti i Imeraj) në 1999 me komisioneren zonja Bungo, ku ishin grindur ajo dhe studenti. Këtë rast duhet ta mbaj unë mend apo zonja Bungo që ka qenë e përfshirë në atë situatë? Nëse ajo nuk e mbante mënd këtë rast, si mund të pretendohet që ta mbaja unë?!
Akuza tjetër se unë paskam përgjuar vëzhguesin ndërkombëtar nuk është i vërtetë dhe nuk kuptoj arsyen pse një ish-vëzhgues ndërkombëtar i larguar nga Shqipëria më bën një akuzë të tillë. Më pëlqen të besoj se vëzhguesi ndërkombëtar ka qenë i keq informuar. Është jo vetëm për mua e turpshme, por për gjithë shqiptarët që kemi virtyt mikëpritjen”, pohoi Imeraj dhe sqaroi se kishte kryer vetë kallëzim penal që të vërtetohej nëse dikush kishte përgjuar vëzhguesin ndërkombëtar.
Po ashtu, ajo sqaroi se u ishte drejtuar gjithë institucioneve ligjzbatuese kërkesë nëse kishin ndonjë informacion të tillë, por përgjigjet sipas saj ishin negative.
Me tej prokurorja Imeraj u ndal te një emër i cili ka bërë një denoncim në lidhje me punësimet që sipas tij janë bërë nga Imeraj
“Valentino Imeraj ka dërguar një e-mail se Elisabeta Imeraj ka punësuar në prokurorinë e Tiranës 3 persona të afërm të anëtarëve të prokurorisë. Gjuha e përdorur nga Valentino Imeraj në e-mail është fyese ndaj trupës gjykuese.
Unë kam bërë një kërkim në gjendjen civile dhe nuk ekziston asnjë individ në Shqipëri më këtë emër. Kaq e vështirë është të zbulohet kjo !? Sot jemi këtu dhe po japim llogari për atë që thotë një person i rremë, ndërkohë në 10 ditë kohë muhd të verifikohej gjithçka”.
Nga ana tjetër Imeraj, në lidhje me divorcin nga ish-bashkëshorti ka sqaruar se të dy kanë vendosur që pensioni ushqimor të paguhet njëherë në vit dhe është bërë në të njëjtën datë, 07.07 2020-07.07.2021.
Gjatë fjalës së saj Elisabeta Imeraj ka sjell disa raste ku është paragjykuar edhe për shkak të origjinës
“Në 2017 kur unë kisha një hetim që kishte lidhje me politikën, i kuptoja stigmatizimet ndaj meje, për shkak të origjinës sime. Por kur Genta Bungo i thoshte shtetases me iniciale A.H çfarë ke ti “një maloke më pak do kemi tani”, kjo është e turpshme.
Imeraj është ndalur edhe te fisi i ish-bashkëshortit.
“Rrahim Shehu ka dërguar një letër ku unë akuzohem se jam nuse në fisin Bajri, një fis në Shkodër i cili ka kryer një sërë krimesh dhe është dënuar. Por ish-bashkëshorti im nuk ka asnjë lloj lidhje me ta. Ka shumë zona në Shqipëri qe kanë të njëjtin mbiemra”.
Imeraj vuri në dispozicion edhe një dokument të marr në datën 30.9 2021 që tregonte se ish bashkëshorti i saj rezulton i padënuar nga gjykatat italiane. Po ashtu, ai rezulton i pastër edhe nga dokumenti i lëshuar nga Ministria e Drejtësisë në Shqipëri.
Imeraj kërkoi që të gjitha provat e siguruara prej saj për të kundërshtuar gjetjet e ONM-së dhe akuzat e reja e Komisonerit Publik të administrohen, si dhe kërkoi një hetim të thellë e të gjithanshëm, për të zbuluar të vërtetën faktike.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj po mbrohet në KPA nga avokati i Dhomës së Avokatisë së Strasburgut, Gregory Thuan Dit Dieudonne.
Avokati Gregory Thuan, duke iu referuar gjetjeve të ONM-së, pas vendimmarrjes së Komisionit, argumentoi se në këndvështrimin e tij është e vështirë për Komisionerin Publik që të ankimojë diçka që nuk bënë pjesë në vendimin e shkallës së parë.
Thuan u shpreh se kishte shumë pyetje për Komisionerin për aspektin ligjor dhe e cilësoi ankimin të kryer jashtë afatit ligjor. Po ashtu shtoi se i dukej e çuditshme përse nuk ishte i pranishëm në seancë përfaqësuesi i ONM-së Theo Jacobs.
Gregory Thuan shpjegoi se nuk paguhej për përfaqësimin e kësaj çështje. “Punoj me pro bono, pasi është një çështje ligjore me interes. Procesi i vetingut është duke shkuar përtej kuadrit të përgjithsëm në rastin çështjen e Imerajt. Ky është një shembull i papajtueshmërisë së Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Procesi i vetingut është problematik në përgjithësi, prandaj dhe futen gjithë interesat ligjorë”, tha Thuan.
I pyetur se si e zgjodhi këtë çështje për përfaqësim, Thuan deklaroi se tashmë procesi i vetingut është i njohur dhe disa çështje janë në pritje për tu trajtuar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Atje janë tetë çështje në pritje dhe janë çështje të njohura publikisht,” pohoi Thuan.
Elizabeta Imeraj u konfirmua në detyrë më 1 prill të vitit 2021 nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Olsi Komici, me relator Roland Ilian dhe anëtare Suela Zhegun pasi konkludoi se ajo kishte arritur nivel të mjaftueshëm në të tre kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Konfirmimi i Imerajt u pasua nga shqetësime të ONM dhe komisioneri Florian Ballhysa vendosi ankimimin duke argumentuar se provat në dëm të këtij subjekti rivlerësimi duhej të kishin sjellë shkarkimin.
Trupa gjykuese e KPA që po shqyrton çështjen e Elizabeta Imerajt kryesohet nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Mimoza Tasi, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo. Në cilësinë e vzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.
Kjo e sotmja ishte seanca e dytë e Apelit, seanca e parë u zhvillua dje. Procesi vijon nesër në 11.00.