Komisioni Evropian: Media në Shqipëri nën sulme denigruese nga aktorë të politikës

Raporti i progresit i Komisionit Evropian, i publikuar të mërkurën, vuri në dukje se Shqipëria kishte bërë përparime qoftë edhe të vogla në një sërë fushash të vlerësuara mes qershorit 2021-2022, përveç lirisë së medias, e cënuar sipas KE-së nga përdorimi i “gjuhës denigruese kundër gazetarëve” prej politikanëve.

Raporti që është i pari pas hapjes formale të negociatave dhe konferencës së parë ndërqeveritare në korrik të këtij viti, është kritik edhe sa i përket të drejtave të personave me aftësi të kufizuar, të drejtave procedurale të personave nën akuzë dhe mos avancimit me legjislacion të përshtatshëm në një sërë fushash.

Ndërkohë edhe pse raporton për nivele të lartë korrupsioni – sidomos në menaxhimin e pronave dhe prokurimet publike, raporti nënvizon se në këtë drejtim ishte bërë “pak progres”, duke veçuar ndër të tjera edhe dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir, Tahiri dhe ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

Raporti i progresit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është pjesë e paketës së zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perendimor dhe Turqinë.

Liria e shprehjes

Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë nënvizon se liria e shprehjes gjatë vitit 2021 është e cënuar kryesisht për shkak të interesave të ndërthurura mes politikës dhe biznesit, që sipas raportit kanë penguar “pavarësinë e medias dhe cilësinë e gazetarisë”.

Raporti ndër të tjera veçon sulmet ndaj gazetarëve dhe fushatat denigruese në rrjetet sociale.

“Gjatë periudhës së raportimit u panë rastë të kërcënimeve, intimidimit dhe fushatave virtuale shpifëse ndaj gazetarëve që raportonin mbi shtetin ligjor, korrupsionin dhe problemet e drejtësisë”, shkruhet në raport.

Sulmet e politikanëve ndaj gazetarëve po ashtu kritikohen në raport, ndërsa thuhet se vendi duhet të ndërmarrë një poltikë të zero tolerancës ndaj kësaj sjellje.

Raporti nuk përmend emra politikanësh, por aktorët kryesorë politikë në Shqipëri, përfshi kryeministrin Edi Rama, janë kritikuar në vijimësi për gjuhën e përdorur ndaj gazetarëve, denigrimin gjatë konferencave për shtyp dhe sulmet online prej militantëve të tyre.

Por gjasat për ndryshim të situatës janë të vogla, sa kohë përfaqësuesit politikë nuk i pranojnë ato. Kritikat e raportit vijnë pas qëndrimeve të ngjashme nga organizata “Reporter pa kufij” në maj të këtij viti, që u cilësuan si gënjeshtra nga Rama në një seri postimesh në Twitter. Kryeministri vetë vijoi të shënjestrojë gazetarë edhe nominalisht në disa konferenca shtypi, ndërsa përdori platformat sociale për të akuzuar reporterët për keqinformim duke postuar edhe fotografi të tyre.

Raporti rithekson cënimin e lirisë së medias përmes materialeve të gatshme nga partitë politikë dhe qeveria dhe vë në dukje shqetësimin e krijuar nga monopolizimi i marrëdhënieve publike të qeverisë përmes Agjencisë për Media dhe Informim.

Amnistia fiskale dhe pasaportat e arta

Raporti i progresit e vlerëson ndryshimin gjatë periudhës së raportimit në vendet kandidate me pesë shkallë: 1. Hapa pas; 2. Jo Progres; 3. Pak Progres; 4. Shumë progres dhe; 5. Progres shumë i mirë.

Raporti i radhës për Shqipëri nuk ka asnjë rast të vlerësimit shumë mirë dhe asnjë rast të vlerësimit “hap pas”, por në të theksohen dy iniciativa të qeverisë që nëse miratohen do të cënonin progresin e arritur.

Raporti vë në dukje se “amnistia fiskale”, një nismë që kryeministri Edi Rama ka mbrojtur me kokfortësi duke i cilkësuar kritikat e BE me ironi si “keqkuptime” dhe “mosdëshirën për të mos kuptuar”, do të cënonte progresin e arritur sa i përket luftës kundër pastrimit të parave dhe në fushën e konkurencës së lirë.

“Miratimi i aministisë fiskale dhe kriminale kundër këshillave të Bashkimit Europian dhe Moneyval vë në rrezik progresin e arritur në këtë fushë (konkurencën e lirë) dhe gjithashtu edhe luftën kundër pastrimit të parave”, thuhet në raport.

Njësoj raporti i kërkon qeverisë që të “përmbahet” nga miratimi i skemës së shtetësisë për investitorë. Një skemë që sipas raportit sjell rreziqe të sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit dhe infiltrimit prej krimit të organizuar”.

Në raport thuhet se kjo skemë nuk përputhet me legjislacionin e Bashkimit Europian./Reporter.al

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *