Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete prezantoi sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, raportin e veprimtarisë së Autoritetit për vitin 2022. Mete bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore të vitit të kaluar, si edhe paraqiti disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet veprimtaria e Autoritetit për periudhën në vazhdim.
Në fillim të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se viti 2022 ka pasur zhvillime të rëndësishme në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, si edhe në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në raportin e grupit të vlerësimit, rezulton se niveli i përputhshmërisë është rritur në 77.9%, krahasuar me 47.4% që ishte mesatarisht në vlerësimin e fundit që është bërë nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitin 2014.
Sa i përket ecurisë së tregjeve nën mbikëqyrje, z. Mete u shpreh se në fund të vitit 2022, në tregun e sigurimeve, dëmet e paguara në numër ishin në nivelin më të lartë historik.
Pagesat e dëmeve sollën një ulje të ndjeshme të numrit të dëmeve pezull, të cilat arritën në 13.4% të gjithë dëmeve të trajtuara nga shoqëritë e sigurimit, shifra më e ulët historike.
Referuar impaktit të ligjit të ri të sigurimit të detyrueshëm motorik, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv përmendi uljen e mëtejshme të komisioneve të ndërmjetësimit deri në një mesatare prej 16%, daljen e Byrosë së Sigurimeve nga monitorimi 10-vjeçar i Këshillit të Byrove, kryesisht si pasojë e përmirësimeve ligjore, pagesën e dëmeve Fond Kompensimi në rreth 87% të rasteve përmes siguruesit të drejtpërdrejtë me procedura më të përshpejtuara, si edhe përdorimin në rreth 23% të rasteve të dëmeve të Raportit Evropian të Aksidenteve.
Në lidhje me zhvillimet në tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se të dhënat e muajve të parë të vitit 2023 tregojnë se fondet e investimit i janë rikthyer rritjes, pas ndikimeve të vitit të kaluar, të ardhura kryesisht si pasojë e zhvillimeve të tregjeve ndërkombëtare dhe rritjes së normës bazë të interesit.
Në tregjet e kapitalit, z. Mete veçoi emetimin e parë me ofertë publike të një shoqërie tregtare në Bursë si një moment të rëndësishëm, i cili mund t’i hapë rrugën edhe emetimeve të tjera në të ardhmen.