Është mbajtur këtë të martë Komisioni për Ekonominë dhe Financat lidhur me vijimin e raportimit të veprimtarisë vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2021.
Në fjalën e tij kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu tha se institucioni që ai drejton ka bërë referimin e të gjitha shkeljeve penale të konstatuara në Prokurori.
“Në lidhje me pyetjen për kallëzimet penale, dua të parashtroj se detyra e KLSH në rastin e konstatimeve të kryerjes së veprave penale është t’i referojë ato mbi bazën e provave të plota në Prokurorinë e Posaçme apo në prokuroritë e rretheve. Dua t’ju kujtoj se nevojitet një kohë e plotë dhe nga ana e prokurorisë për konkludimet e rasteve konkrete. Siç thashë ato raste janë të bazuara në prova konkrete dhe jo në dyshime. Jam i bindur se prokuroria po kryen në mënyrë shteruese detyrën që i ngarkon ligji dhe jam i bindur se rezultatet do të jenë frytdhënëse për të gjitha institucionet shqiptare dhe për shoqërinë shqiptare. Ne i kemi dhënë rëndësinë e duhur përgatitjen e kallëzimeve penale në ato raste që kemi të bëjmë me veprat penale. Por më i rëndësishëm është parandalimi i kryerjes së veprës penale. Puna e të gjitha institucioneve duhet të koordinohet për të parandaluar dëmet në buxhetin e shtetit”, tha ai.