Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka raportuar në Komisionin e Ligjeve lidhur me kompetencat për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Ministrave kundrejt Prokurorit të Përgjithshëm për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, bashkimin ndërinstitucional dhe të drejtat e njeriut.
Në këtë raportim Manja ka folur me statistika duke bërë krahasim mes vitit 2021 me 2020.
“Një prioritet tjetër është respektimi i të drejtave dhe lirive themelore në procesin penal. Në Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me zbatimin e rekomandimeve, rezulton se për vitin 2021, numri i çështjeve të përfunduara është 1071 çështje, gjykimi i drejtpërdrejtë ka pësuar rritje të lehtë krahasuar me 2020 ndërsa marrëveshja për pranimin e fajësisë ka pësuar ulje.
Për veprat penale kundër fëmijëve, familjes dhe martesës, për 2021 janë regjistruar 1490 çështje penale. Ka rritje me 126 çështje. Për dhunën në familje, janë regjistruar 1406 çështje penale. Nuk konstatohet ashpërsimi i politikës penale për këtë vepër, pavarësisht ndërhyrjeve në ligj dhe rekomandimeve për 2021. Nga të dhënat e përcjella nga prokuroria e përgjithshme për të miturit në konflikt me ligjin për vitin 2021 janë regjistruar 702 procedime penale me rritje prej 46.4% krahasuar me 2020. Për krimet seksuale, janë regjisturare 158 procedime penale me rritje 13.92% dhe 107 të pandehur krahasuar me vitin 2020. Pra ka rritje të këtyre krimeve. Është përmbushur rekomandimi për ashpërsimin e masave të sigurisë për veprat me natyrë seksuale”, tha Manja.