Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilloi sot një seancë dëgjimore mbi raportin mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2022. Raporti u prezantua nga kryetarja e KLGJ-së Naureda Llagami, e cila bëri një panoramë gjithëpërfshirëse të veprimtarisë dhe rezultateve të institucionit gjatë vitit 2022, si dhe sfidat kryesore të Këshillit në kuadër të administrimit profesional të sistemit gjyqësor dhe ofrimit të shërbimeve cilësore dhe efikase për publikun. Një fokus të veçantë Llagami i kushtoi përmbushjes së rekomandimeve të lëna nga Kuvendi në Rezolutën e vitit e kaluar.
“Veprimtaria e Këshillit për vitin 2022 është përqendruar në ato pika nevralgjike të sistemit, të cilat adresojnë si Rekomandimet e dhëna një vit me parë nga Kuvendi, por dhe sugjerimet që kanë rezultuar nga takimet bilaterale me Komisionin Europian në kuadër të procesit ‘screening’. Padiskutim që kjo trajektore vjen në njohje gjithashtu dhe të sugjerimeve dhe nevojave të adresuara nga vetë Gjykatat, si dhe nga publiku dhe mediat, të cilat janë dhe motori i vënie në lëvizje të kësaj makinerie”, tha Llagami.
Lidhur me Gjykatën e Lartë, Llagami sqaroi se përgjatë vitit 2022, numri i anëtarëve ka shkuar 16 anëtarë dhe aktualisht është dekretuar dhe një anëtar i KLGJ dhe mbeten dhe 3 vende vakante, të cilat janë në proces.
“Për dy pozicione, gjatë kësaj jave Këshilli ka vendosur renditjen e tyre dhe pritet që shumë shpejt, dy kandidatë ti propozohen Presidentit besoj, brenda dy javëve të para të Korrikut. Gjatë vitit 2022, KLGJ ka emëruar 7 gjyqtarë të rinj në këto gjykata përmes rritjes në detyrë dhe skemës së delegimit”, tha ajo.