Komiteti Teknik i Ekspertëve për Pandeminë, i mbledhur këtë të premte, ka marrë vendimin që të mos ndryshojë masat aktuale ndaj koronavirusit. Kryetarja e këtij Komiteti, Mira Rakacolli, bëri thirrje për zbatimin me rigorozitet të masave aktuale.
“Komiteti i ekspertëve mendon se niveli i masave shtrënguese do të mbetet i njëjtë. Komiteti tërheq vëmendjen për zbatimin e tyre me rigorozitet”.
Në mbledhjen e fundit të komitetit, është aprovuar edhe doza e tretë e vaksinës për personat mbi 60 vjeç.
“Komiteti ka marrë vendimin pas shqyrtimin të komitetit të vaksinimit. Në këtë situatë, prioritet mbetet vaksinimi me dozën e parë, po ashtu komiteti ka vendosur që qytetarët mbi 60 vjeç të bëjnë dozën e tretë, jo më herët se 6 muaj, pasi kanë bërë dozën e dytë, duke filluar nga data 1 nëntor”.
Pra, duke nisur nga data 1 nëntor, të gjithë personat mbi 60 vjeç që kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid dhe kanë kaluar 6 muaj nga doza e dytë, mund të kryejnë të tretën. Gjithashtu është vendosur që të ftohen të gjithë fëmijët mbi 16 vjeç si dhe fëmijët 12-15 vjec që paraqesin sëmundje që kanë të bëjnë me ulje të imunitetit.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur sot pas shqyrtimit të vendimeve të komitetit të ekspertëve të vaksinimit që:
1. Personat që janë mbi 60 vjec të bëjnë dozën e tretë të vaksinës jo më herët se sa 6 muaj pasi kanë bërë dozën e dytë, sipas udhëzimëve që jep ISHP, duke nisur nga 1 nëntori.
2. Fëmijët që janë mbi 16 vjec do ftohen për t’u vaksinuar gjithmonë me rekomandimin e mjekut, miratimin e prindit duke nisur nga 1 nëntori.
3. Do ftojmë për vaksinim dhe fëmijët 12-15 vjec që paraqesin sëmundje që kanë të bëjnë me ulje të imunitetit”, tha zv ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.
Ajo tha se në këtë situatë pandemie, prioritet do të mbetet mbulimi i popullatës me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës për ata që nuk e kanë bërë ende.
/Priza.al/