Deputetja e PD, Jorida Tabaku ka reaguar këtë të premte në lidhje me projektin e aeroportit të Vlorës.
Në një deklaratë për mediat, Tabaku tha se ky projekt do të shkatërrojë natyrën por edhe se kompania fituese është dërguar në SPAK, si dhe do të përfitojë 138.2 mln euro.
Sipas Tabakut kjo është një skemë korrupsioni dhe po gllabëron paratë e buxhetit të shtetit.
“Ditën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë ngritja një çështje që si deputete dhe si kryetare e komisionit të integrimit më është dashur ta ndjek; aeroportin e Vlorës. Një projekt që kryeministri e shpalli fituesin dhe vendin e ndërtimit në mars 2021, pak javë përpara ditës së zgjedhjeve. Ministrja Kumbaro ditën e djeshme deklaroi se “njolla e projektit ndodhet në një zonë që nuk është zonë e mbrojtur kombëtare. Kontrata koncesionare me vlerë 138.2 mln euro është fituar nga një konsorcium që zotërohet nga dy kompani; e para është kompania turke që ndërtoi falas spitalin e Fierit dhe kompania e dytë është e afërt me kryeministrin. Përpos kësaj, historia e garës së këtij koncesioni me vlerë 138.2 mln euro është e mbuluar me dyshime të mëdha. Pjesëmarrës në garë ka qenë një kompani britanike e cila akuzon qeverinë se ka ndryshuar kriteret e garës pak ditë përpara përfundimit të saj.
Dy javë përpara përfundimit të garës. Kontrata koncesionare që i është falur këtij konsorciumi dhe që do të ndërtohet në një zonë të mbrojtur natyrore ka një vlerë prej 138.2 mln euro. Sipas kontratës qeveria i ka garantuar konsorciumit se do t’i paguajë 9.6 mln euro apo diferencën nëse në 4 vite konsorciumi nuk fiton të ardhura nga fluturimet në këtë vlerë. Po ashtu nëse konsorciumi nuk fiton në vitin e 13 shifrën prej 18.7 mln euro do jenë taksat e shqiptarëve që do t’ia paguajnë. Në total, në fund të kontratës koncesionare kompania fituese e një tenderi që sot është dërguar në SPAK do të përfitojë 138.2 mln euro nga buxheti shtetit një vlerë që sipas investigimit dhe letrave është 30% më shumë se sa kosto e ndërtimit. Kjo është një tjetër skemë tipike korrupsioni ku qeveria është e përfshirë dhe qartësisht ka favorizuar një palë. Një skemë korrupsioni që sikurse gllabëron paratë e buxhetit, taksat e rritura që paguajnë shqiptarët po shkatërron dhe një tjetër pasuri kombëtare të atdheut tonë”, tha ajo.