Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe ka reaguar në lidhje me kompaninë Kurum, e cila mbyllu uzinën duke nxjerrë rreth 500 persona të papunë.
Me anë të një postimi në Facebook, Braçe thotë se kjo kompani “nuk na bën dot për budallenj”. Sipas tij, lodrat me faliment apo vështirësi ekonomike duhet të marrin fund.
Teksa thotë se kjo kompani nuk ka dalë asnjë vit me humbje, deputeti socialist ngre pyetjen: “Ku kanë shkuar fitimet?”.
“Kurum nuk na bën dot per budallenj! Kurum nuk e merr dot osh këtë vend! Lodra me faliment-kete here veshtiresi ekonomike, duhet te marre fund! Kurum pranoi dje se ka ndërprerë punën në dy prej segmenteve me te rëndësishme, fitimprurëse në procesin e prodhimit; ka lajmëruar punëtoret për ndërprerje te kontratës dhe për vijimin e pagesës për tre muaj te tjerë-koha e mjaftueshme për lodrat e saj! Ajo qe me beri përshtypje dje ishte deklarimi për vështirësi ekonomike; pra jo me faliment-ai është konsumuar njëherë, por vështirësi ekonomike!!! Ouuu po si kështu? Cili ka qene rezultati financiar i Kurum per 2018, 2019, 2020,2021, 2022, 2023? Duke dale nga tërmeti e duke hyre ne rindërtim, shoqëruar me rritem rritje te larte ne sektorin e ndërtimit-privat por edhe te investimeve publike, Kurum nuk ka qene asnjë vit me humbje, me fitim ka qene! Atëherë?! Si ka mundësi?! Ku kane shkuar fitimet?! Shikoni, Kurum e ka bere një here këtë loje, shume me te madhe-me falimentin, ngjarje qe duhet verifikuar sot se a u mbyll ne përputhje me ligjin apo jo; nuk duhet lejuar ta bej me! Veçanërisht duke marre peng punëtorët”, thuhet në reagimin e deputetit të PS.
Kujtojmë që Prokuroria e Durrësit zbarkoi dje pranë zyrave të kompanisë “Kurum” në Elbasan dhe sekuestroi dokumentacion, që besohet se ka lidhje me çështjen e qindra tonë mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme, të cilat janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.