Kompanitë ajrore ruse mbajnë peng avionët e marrë me qira

Vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë duket se u ka kushtuar shtrenjtë disa kompanive të aviacionit. Kjo pasi disa linja ajrore kanë dhënë me qira mbi 400 avionë kompanive ruse. Por vendosja e sanksioneve nga shtetet kundra Rusisisë në momentin që ajo i shpalli luftë Ukrainës ka penguar edhe mardhënien e firmave qiradhënëse me ato qiramarrëse të Rusisë.

Kompanitë që japin me avionë me qira, si p.sh. Aercap dhe Avolon, po i humbasin shpresat se do t’i marrin sërish avionët e tyre që u kishin dhënë me qira shoqërive ajrore ruse dhe që tani gjenden në Rusi. Për shkak të sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës këto kompani ndërprenë kontratat me linjat ajrore ruse. Edhe pse njoftimi për përfundimin e kontratave u bë i njohur rreth një muaj më parë deri tani kompanitë ajrore ruse nuk i kanë kthyer ende më shumë se 500 avionët me vlerë rreth dhjetë miliardë dollarë.

“Kam frikë se do të jemi dëshmitarë të vjedhjes më të madhe të avionëve në historinë e aviacionit civil komercial,” tha Volodymyr Bilotkach, profesor për Menaxhimit të Trafikut Ajror pranë Institutit të Teknologjisë në Singapor. Drejtori i përgjithshëm i Komisionit të BE-së për Transportin, Henrik Hololei, u ankua gjithashtu se avionët që gjenden në Rusi u janë “vjedhur pronarëve të ligjshëm”.

Shkelje serioze e Konventës për Aviacionin Civil Ndërkombëtar

Pas vendosjes së sanksioneve Rusia aprovoi me procedurë të përshpejtuar një ligj për të parandaluar heqjen e avionëve nga shërbimi. Avionët në fjalë janë të regjistruar në Bermuda dhe Irlandë dhe autoritetet e këtyre vendeve i kanë pezulluar certifikatat e tyre të sigurisë ajrore dhe për këtë arsye nuk lejohen të ngrihen.

Për të ruajtur certifikatat e nevojshme të sigurisë, avionët e marrë me qira thjesht u riregjistruan në Rusi. Por sipas rregullave ndërkombëtare regjistrimi i dyfishtë nuk lejohet. Henrik Hololei tha kjo është një shkelje serioze e Konventës së Çikagos për Aviacionin Civil Ndërkombëtar. Sipas të dhënave të qeverisë rusi, tanimë tek autoritetet ruse janë regjistruar më shumë se gjysma e 515 avionëve të marrë me qira.

Shumica e avionëve të marrë me qira përdoren për fluturime të brendshme në Rusi. Agjencia e Aviacionit e BE-së Eurocontrol gjurmon tani çdo avion që largohet nga Rusia dhe në bashkëpunim me autoritetet në vendet ku ulen avionët, i konfiskon ata. Sipas një njoftimi të agjencisë ruse të lajmeve Interfax javën e kaluar u konfiskuan 78 avionë të tillë që kishin fluturuar jashtë vendit./DW

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *