Qeveria nëpërmjet buxhetit të vitit 2022 autorizoi rreth 2 miliardë dollarë pagesa buxhetore që do të jepen për 7 kontrata të reja koncesionare me Partneritet Publik-Privat.
Vlera më e madhe i takon aksit të ri rrugor “Milot-Fier” pjesë e autostradës Adriatiko- Joniane, me vlerë 178 miliardë lekë, ndërsa kontratat e dytë më e madhe është rishpallja e koncesionit të kolaudimit të automjeteve me vlerë 20,2 miliardë lekë, afati i të cilit kishte përfunduar vitin e kaluar.
Bëhet fjalë për rreth 53 kilometra rrugë të këtij segmenti, që do t’i jepen privatit për ndërtim dhe shfrytëzim për të paktën 30 vite.
Për vitin që vjen qeveria do të nënshkruaje një kontratë koncesionare për ndërtimin e një porti të integruar “Triport Vlorë”, me vlerë 5,6 miliardë lekë.
Një koncesion i ri do të jepet për sigurinë rrugore me vlerë 5 miliardë lekë.
Dy koncesione të tjera më të vogla në vlerë, do të jepen: i pari për përmirësimin e infrastrukturës brenda qytetit të Elbasanit, me vlerë 882 milionë lekë dhe i dyti për ofrimin e shërbimit të infrastrukturës së çelësave publike PKI me 208 milionë lekë.
Vlera e koncesioneve të reja është 214 miliardë lekë, duke e çuar totalin e tyre 851 miliardë lekë ose 45.6% e PBB-së.
Fatura e pagesave buxhetore ndaj kontratave koncesionare në vitin 2022, do të zgjerohet me 11.3%, në krahasim me planin e këtij viti, duke arritur një vlerë prej 13,8 miliardë lekësh (112 mln euro), sipas programit të paraqitur në projektligjin e buxhetit 2022 që tashmë është në Kuvend.
Thuajse të gjitha këto koncensione ishin parashikuar të jepeshin gjatë këtij viti, por për arsye të ndryshme ato u shtynë, duke bërë që qeveria t’i planifikojë për në vitin 2022.
Të gjitha këto janë koncensione që do të miratohen gjatë vitit të ardhshëm sipas qeverisë dhe nuk do të paguhen brenda vitit, por në mënyrë periodike sipas parashikimeve në kontratë.
/Burimi: Monitor.al/