Koncesionet ofrojnë në përgjithësi shërbime private të cilat zëvendësojnë funksione që duhet t’i kryejë vetë shteti. Një investigim i vitit të kaluar zbuloi se ato janë praktikisht bizneset më fitimprurëse në Shqipëri.
Pronarët e këtyre bizneseve kanë përfituar qindramilionë euro përgjatë viteve të fundit, ndërsa pozicioni i tyre përgjithësisht monopolist i ka lejuar të mbajnë norma fitimi të jashtëzakonshme pavarësisht se pjesa tjetër e ekonomisë shqiptare ka vuajtur nga kriza.
Sot në Shqipëri koncesionet kanë krijuar monopole ligjore në segmente të rëndësishme të tregut, kanë rëndesë të pazakontë në buxhetin e shtetit, duke u bërë shqetësim serioz për zhvillimin ekonomik të vendit.
Qeveria Berisha firmosi koncesione deri në muajt e fundit të qëndrimit të saj në zyrat e shtetit, por lista e koncesioneve me vlerë të debatueshme u shtua gjatë viteve të fundit me kontrata të reja të dhëna nga qeveria aktuale.
Global Fluids International, GFI Albania, është një prej tyre.
GFI fitoi koncensionin e “markimit të karburantit” në terr të plotë në marsin e vitit 2013, kur vendi drejtohej nga Sali Berisha, pak muaj para se ai të dorëzonte pushtetin 8-vjeçar. Vendimi i Këshillit të Ministrave për këtë koncesion, që mban nr. 200 dhe datën 13.03.2013 quhet “Kontrata e koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve”. U lidh ndërmjet Ministrisë së Financave dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive Global Fluids International dhe Petroleum Consulting Partners.
Dukej që dikush e kishte me ngut. Sepse më datë 30.05.2013, vetëm një muaj para zgjedhjeve doli vendimi i dytë përshpejtues i Këshillit të Ministrave me nr.498, “Për përcaktimin e procedurave të shenjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës”.
Berisha e përligji firmosjen e këtij koncesioni me “uljen e evazionit fiskal në tregun e naftës”, detyrë dhe përgjegjësi kjo, e shtetit. Sidoqoftë, kjo ishte alibia zyrtare e ekzistencës së këtij koncesioni, arsyeja reale është ajo që e dinë të gjithë. Operatorët e naftës në tregun shqiptar e quajtën asokohe “taksa e Zenit”.
Fjala ishte për Shkëlzen Berishën, që u përfol si kumbari i koncesionit.
Ishte një kontratë mjaft e diskutuar pasi ndikoi menjëherë në rritjen e çmimit të karburantit në vend. Socialistët atëherë në opozitë, premtuan anulimin e marrëveshjes kur të vinin në pushtet. Por diçka e tillë nuk ndodhi. Jo vetëm që nuk u anulua, por kompania mori nga qeveria e re e majtë zgjerimin e aktivitetit, një proces që rriti ndjeshëm fitimet e kompanisë.
Më 16 mars 2016, qeveria i dha “GFI Albania”-s të drejtën për të markuar edhe naftën bruto, një çudi më vete kjo për të cilën do flasim në pjesët e tjera të këtij investigimi.
Në të njëjtin vit plasi skandali Panama Papers dhe një prej kompanive emri i së cilës doli në ato lista ishte edhe GFI Albania. Zëra nga brenda mazhorancës rikthyen akuzat për firmën, por më pas erdhi heshtja e zakonshme.
DITA ka hetuar për disa muaj mbi GFI pas një denoncimi. GFI Albania njihet për ndjeshmëri ekstreme në raport me median. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i GFI Albania, Vangjel Birbo, një personazh që mëton se është i fiksuar me “dekonspirimin”, bëri përpjekje gjatë këtij hetimi për intimidimin e gazetarëve që u morën me rastin.
Por le të sqarojmë fillimisht për lexuesin disa detaje mbi GFI: Sipas kontratës fillimisht dhjetëvjeçare me qeverinë shqiptare, ky koncesionar privat bën “ngjyrosjen” e naftës që qarkullon në tregun shqiptar për qytetarët.
Lëngu “misterioz” i ngjyrosjes (ose markimit) të karburanteve është elementi më i rëndësishëm i këtij koncesionari dhd do ta kuptojmë më poshtë se pse.
Siç dihet, nafta në rrugë detare hyn në Shqipëri kryesisht nga portet e Durrësit e Vlorës. Pasi shkarkohet aty, tregtarët e saj në Shqipëri e magazinojnë në ato që quhen magazina tatimore, prej ku e shpërndajnë në pikat e karburanteve në gjithë vendin. GFI është stacionuar në magazinat tatimore pra i vjel të ardhurat e veta “duke pikuar lëng” në naftën e grumbulluar në këto magazina; operatorët e tregut të naftës, kuptohet, nga ana e tyre e shkarkojnë pagesën e detyruar për GFI-në, tek çmimi për konsumatorin fundor.
Togfjalëshi “duke pikuar lëng” është vendosur në thonjëza jo pse është metaforë. Realisht kjo është “puna” e GFI: të përziejë një sasi lëngu në naftën që niset drejt tregut me pakicë. Nafta që i shitet qytetarëve shqiptarë në pikat e karburanteve duhet ta ketë këtë lëng në përbërjen e vet si provë që ka paguar taksat dhe nuk është kontrabandë. Nëse e ka apo jo lëngun nafta, këtë e kontrollon sërish GFI.
Duhet theksuar se vende të tjerë markojnë karburantin e pataksuar kryesisht të përdorur për ngrohje dhe peshkim, në Shqipëri markohet karburanti i taksuar. Kjo është histori më vete. Qëndrojmë tek lëngu misterioz, ndaj të cilit GFI është shumë e ndjeshme.
Ky lëng që njihet me emrin “marker” dhe që i siguron miliona privatit, për atë kontroll që mund dhe duhet ta kryente fare lehtë shteti është një “formulë tregtare e fshehtë” sipas asaj që thotë edhe vetë koncesionari. Është e qartë çfarë ndodh nëse ky lëng “garantues anti-evazion” të posedohet nga dikush jashtë GFI. Në një hipotezë të tillë mund të kalohet lehtë në treg sasi nafte e markuar, por e pataksuar.
A mundet dikush tjetër ta posedojë markerin? GFI dhe drejtori ekzekutiv Birbo pretendojnë që kjo është e pamundur; afërmendsh, ruajtja e markerit është përgjegjësia e tyre kryesore. Pra rrjedhja e markerit çudibërës jashtë zinxhirit zyrtar i ngarkon ata me përgjegjësi të rënda ligjore.
Nga disa dokumente të kontrolluara nga DITA shmangia në RSD del +550 përqind çka tregon sipas burimeve doganore se subjektet kanë marker në duar. Po vetë GFI ka gjasa ta japë apo ta shesë privatisht lëngun magjik duke u dhënë mundësi operatorëve privatë të bëjnë evasion?
A mashtron GFI? Këtë do t’ia lemë lexuesit në vijim ta gjykojë.
Një nga dëshmitë që ka siguruar ky hetim është se që në veprimet e para të GFI janë reflektuar përpjekja për mashtrim. Markeri i parë i ardhur në 2013 është deklaruar nga GFI Albania mbi 1 milion euro, kur ishte vetëm 13 mijë euro. Është kthyer mbrapsht në origjinë me kërkesë të Autoritetit Doganor.
Pyetje si këto dhe të dhëna si këto janë të rëndësishme edhe për Prokurorinë. E cila ka aktualisht në proces një hetim të hollësishëm mbi GFI Albania pas një kallzimi të bërë nga Autoriteti Doganor…