Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka folur këtë të enjte në Konferencën Ministrore të Ballkanit Perëndimor, ku fokusi i diskutimit ka qenë përmirësimi i klimës së biznesit për investime, sidomos në turizëm, mes vendeve të rajonit, e organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal.
Ndër të tjera Veliaj tha se Tirana është sot një nga qytetet më të ndërlidhura në Ballkan, dhe si e tillë ajo do të sjellë një lloj turizmi të cilësuar si “city break”.
“Tirana sot është qyteti më i ndërlidhur në Ballkan, me 105 fluturime në ditë. Shumë prej kolegëve nga vendet e rajonit vijnë në Tiranë për t’u lidhur me disa pjesë të Europës, ku aeroporti ynë dhe ulja e barrierave, e ka bërë jashtëzakonisht të lehtë mundësinë për t’u lidhur me kosto shumë të përballueshme,” tha Veliaj. Ai theksoi se po diskutohet zgjatja e sezonit turistik, teksa theksoi se përpara pandemisë Tirana ishte e mbipopulluar nga turistët. Në vitin 2019, Tirana kishte më shumë turistë sesa banorë.
Për një qytet që s’ka as det dhe nuk është le të themi, një qytet klasik si Parisi apo Athina, pra jo një qytet me histori mijëravjeçare, ky është sukses sepse ka sjellë lloj turizmi që quhet ‘city-break’”, deklaroi ai. Ai u ndal edhe te finalja e Conference League, që do të zhvillohet në Tiranë në 25 Maj. Veliaj theksoi se për shkak të ndeshjes hotelet kanë tejkaluar kapacitetet akomoduese, aq sa sot është e vështirë të gjesh një vend të lirë në hotel. Ai tha me shaka se për shkak të kësaj mbingarkese, edhe kryetarët e Bashkisë së Romës dhe të Roterdamit, që do të vijnë në Tiranë për të ndjekur ndeshjen, “po hyjnë miq” për të gjetur një vend në hotel”, tha ai.