Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë me shumicë votash gjyqtarin Besnik Hoxha.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 16 maj për subjektin e rivlerësimit, Besnik Hoxha, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me shumicë votash vendosi konfirmimin e tij në detyrë.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, Lulzim Hamitaj relator, Genta Tafa Bungo anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
Besnik Hoxha e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë e gjysmë si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Prej vitit 2010, Hoxha e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.