Konflikti në FSHF/ Meta: Dënoj çdo ndërhyrje të politikës në futboll

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dënoi ngjarjet e fundit në futbollin shqiptar teksa ditën e sotme u publikua nga Federata Shqiptare e Futbollit një audiopërgjim.

Pasi kreu homazhe te shtatorja e Ismail Qemalit në kryeqytet, kreu i shtetit u shpreh për mediat se, dënon çdo ndërhyrje të politikës në institucionin e futbollit në Shqipëri.

“Është për të ardhur keq që politizohet skajshëm edhe futbolli, nuk është hera e parë që kemi përpjekje të ethshme e brutale për të ndërhyrë në zgjedhje që duhet të jenë të qeta e transparentë të këtij institucioni.

Edhe pse nuk merremi me futboll të gjithë e ndjekim atë në familjet shqiptare. Dënoj çdo ndërhyrje të politikës, që synon shantazhimin ndaj atyre që duhet të zgjedhin bazuar mbi programet e kandidatëve, dhe kurrësesi nën presion”,- deklaroi Meta.

Ditët e fundit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është zotuar për të penguar zgjedhjen e Armando Dukës në krye të FSHF-së, duke përgatitur dosjen e akuzave ndaj tij për korrupsion dhe pastrim parash gjatë 20 viteve në krye të institucionit të futbollit shqiptar.

Kjo dosje do t’u dërgohet të gjitha organeve ligjzbatuese në vend dhe jashtë tij.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *