Autoriteti i Konkurrencës vendosi ditën e djeshme të ndalojë zbatimin e akt-marrëveshjes që parashikonte rritjen e çmimit të patentave për drejtimin e automjeteve.
Me një njoftim zyrtar, Autoriteti njoftoi se Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 01.03.2023, mori në shqyrtim çështjen “Mbi vlerësimin ligjor të akt-marrëveshjes së lidhur midis DPSHTRR, DPT, Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave, Shoqatës së Autoshkollave “Siguria në Rrugë”, në lidhje me përcaktimin e tarifës së pagesës dhe kostos minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi.
Në respektim të nenit 44 të Ligjit nr.9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se akt-marrëveshja për përcaktimin e tarifës së pagesës dhe kostos minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi, nëpërmjet përcaktimit të tarifës minimale ka rrezik të sjellë një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën në ofrimin e këtyre shërbimeve, duke reduktuar seriozisht përfitimet që tregjet konkurruese ofrojnë për konsumatorët.
Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës, vendosi, si masë të përkohshme, ndalimin e zbatimit të akt-marrëveshjes nr. 2729, datë 13.02.2023, në lidhje me përcaktimin e tarifës së pagesës dhe kostos minimale fiskale për përgatitjen dhe pajisjen me leje drejtimi.
Masa e përkohshme merret për një periudhë kohore deri në përfundim të procedurës administrative dhe marrjen e vendimit përfundimtar të Komisionit të Konkurrencës.
Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës kërkoi depozitimin panë Autoritetit të Konkurrencës të të gjithë praktikës së ndjekur deri në nënshkrimin e kësaj Akt Marrëveshje, për të kryer vlerësimin ligjor të saj, bazuar në nenin 4, nenin 69 dhe 70 të Ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Autoriteti i Konkurrencës nënvizon se moszbatimi i këtij vendimi përbën shkelje të rëndë të konkurrencës në kuptim të nenit 74, pika 1, germa b), të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Sipas nenit në fjalë, subjektet që nuk zbatojnë masat e përkohshme të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës mund të ndëshkohen me gjobë deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
Në draft akt-marrëveshjen e ndaluar nga Autoriteti i Konkurrencës, grupet e interesit, duke përfshirë Shoqatën Kombëtare të Autoshkollave, Shoqatën e Autoshkollave “Siguria në Rrugë” Drejtorinë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor deklaronin se binin dakord që tarifat e reja për kursin e marrjes së lejes së drejtimit të varionin, sipas kategorive të lejeve të drejtimit, nga 30,000 lekë deri në 125,000 lekë./Monitor