Fatura pa limit e krizës së energjisë

Kursimi i energjisë është term i hasur jo pak këto kohë në fjalime, duke këmbëngulur që qytetarët dhe bizneset, të tregohen të kujdesshëm me konsumin. Këtë regjim, qeveria e nisi nga vetja, duke marrë një sërë masash paraprake për të ulur konsumin e energjisë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në dimër, mesatarja e konsumit luhatet mes 25 mijë MWh dhe më pas zbret në 23 MWh. Me ngrohjen e motit ka një tendencë për të ulur konsumin, i cili pëson luhatje në rritje në kohën e verës.

Në ditët e fundit, të dhënat zyrtare tregojnë se ka rënie të konsumit në rreth 20 mijë MWh, por nuk mund të bëhet një ndarje e saktë se sa për qind e kësaj uljeje të lehtë është si efekt i kushteve të motit dhe sa, si efekt i masave. Këto të fundit nisën një javë më parë, ndërkohë që nëse situata do të përkeqësohet, mund të përshkallëzohen.

Aktualisht, masat për kursimin e energjisë elektrike përfshinë si fillim ndërprerjen e ndriçimit në akset rrugore, aty ku është e mundur duke e lënë atë vetëm në pika ku është i nevojshëm për të parandaluar aksidentet.

Një masë tjetër ishte ajo ndaj bashkive, të cilave u është kërkuar që gjatë natës të ndërpresin ndriçimin në institucione apo fasada, kur nuk janë të nevojshme. Gjatë njoftimit të këtyre masave, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë u shpreh se kursimi ishte i nevojshëm për të mos u përballur më vonë me kufizime dhe për të ruajtur çmimet aktuale me të cilët furnizohen qytetarët dhe biznesi i vogël.

“Errësirë” në Kaskadën e Drinit, zyrtarisht dihet vetëm niveli i Fierzës

Situata në Kaskadën e Drinit mbetet problematike dhe prodhimi është reduktuar në nivele minimale, për shkak se kushtet hidrike vijojnë të mbeten pa përmirësim. Shpresa për një fund marsi me reshje u shua, dhe nga momenti kur u deklarua se furnizimi do të kalonte kryesisht në import, “errësira” ra edhe mbi shifrat zyrtare.

Sot nga institucionet raportohet vetëm niveli i Fierzës, në 259 metra. ndërkohë detajet për Komanin dhe Vaun e Dejës mbi nivelin e hidrocentraleve dhe atë të prurjeve nuk raportohen. Të dhënat e fundit të raportuara janë ato të 11 marsit. kur Fierza ishe 273.73 metra, Komani 173.3 metra dhe Vau i Dejës 73.75 metra.

Niveli i Fierzës sot nga njohësit e fushës cilësohet si kritik, ndërkohë që vetë Korporata Elektoenergjetike Shqiptare deklaroi se niveli që ka kaskada nuk është situata reale e rezervës energjetike të vendit, pasi janë nënshkruar kontrata parablerjeje për një rezervë 218 gigavat/orë.

“KESH që nga janari, përpos prodhimit në pjesën e kaskadës, ka ushtruar edhe blerjen për të furnizuar FSHU për familjarët dhe biznesin e vogël, si dhe tensionin e mesëm ku janë 7470 biznese. Kemi 537 GWh të dhëna në janar në total, ndër të cilat 40% është import dhe 60% prodhim. Në shkurt, importi u rrit edhe me 5%, për shkak të prurjeve jo shumë të mëdha.

Në mars deri më sot janë 328 GWh, ku 274 GWh janë të prodhuara dhe 47 GWh janë të blera në treg të parregulluar. Dy javët e para të muajit mars ka pasur rritje të çmimit në bursë, për shkak të situatës Ukrainë-Rusi ku 1MWh arriti 550 euro ndaj u detyruam që pjesën më të madhe ta prodhonim.

Rezerva energjetike aktualisht është 290 gigavat në kaskadë. Duke shtuar dhe kapacitetet 228 gigavat të parablera, mund të themi se është afër rezervës 518 gigavat e konvertuar në metra, 12 metra plus. Pra sot me parablerjen kemi arritur në 271 metra në Fierzë” u shpreh administratori i KESH, Ergys Verdho, në një mbledhje të Komitetit të Energjisë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *